Qeveria e miratoi propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti.

Siç tha Mickoski, me këtë ligj hapet një kapitull i ri i profesionalizmit në sektorin publik, si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë lokal.

“Ky ligj ka një qëllim të qartë – administrata të jetë një shërbim i vërtetë për qytetarët, e ndërtuar mbi merita, dije, profesionalizëm, integritet, në përputhje me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit”, tha Mickoski.

“Ligji është një garanci që bashkësitë etnike do të përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe adekuate, por njëkohësisht do të mbrojë cilësitë e të gjitha bashkësive etnike”, shtoi Mickoski.