Qeveria: Numri i telefonit 070 355 526 është në funksion, Ponikva bëhet qendër rehabilitimi për të lënduarit

Që nga sot, linja telefonike për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre nga tragjedia në Koçan është në funksion.
Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, çdo person i lënduar dhe familjet e tyre do të mund të telefonojnë, të paraqesin kërkesat e tyre si dhe të ofrojnë propozime dhe nevoja konkrete.
Numri i telefonit 070 355 526, në të cilin do të mund të lajmërohen të lënduarit dhe familjet e tyre, është i disponueshëm publikisht dhe është komunikim i drejtpërdrejtë i menaxhuar nga Zyra e Kryetarit të Qeverisë.
Askush nuk do të harrohet. Prioriteti ynë është që të lënduarit nga tragjedia në Koçan të fitojnë kujdesin mjekësor adekuat dhe rehabilitim të plotë, në mënyrë që të mund të vazhdojnë me jetën.
Pikërisht për këtë, në mbledhjen e Qeverisë do të miratohet vendim me të cilin qendra turistike Ponikva, e cila është në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do t’i vihet në dispozicion Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht për pacientët që tashmë janë në gjendje stabile por kanë nevojë për trajtim të mëtejshëm.
Qendra Ponikva ka në dispozicion 27 dhoma dhe 56 shtretër ndërsa do të ketë edhe staf mjekësor shtesë për të ofruar kujdes të plotë shëndetësor për pacientët.
Kjo do të thotë se personat e lënduar që kanë nevojë për mbrojtje shtesë shëndetësore do të mund të përfitojnë nga këto shërbime.
Si Qeveri jemi plotësisht të përkushtuar për të siguruar kujdes shëndetësor për të lënduarit nga tragjedia në Koçan.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje partive politike që të përmbahen nga nekrofilia politike dhe t’i lënë institucionet të udhëheqin rastin plotësisht.
Theksuam se secili që është i përfshirë në këtë rast, duhet dhe do të mbajë përgjegjësi. Pavarësisht statusit të tij në shoqëri apo përkatësisë politike.
Drejtësia po vjen dhe do të jetë përgjigjje për të gjithë.
Shteti është në rrugën e ndryshimeve!