Koordinuesi i grupit të deputetëve të VLEN-it, Bekim Qoku, sot në konferencë tha se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me lokalet në vjeshtë, pasi që paraprakisht koordinuesi i grupit të deputetëve të Frontit evropian, Blerim Bexheti u bëri thirrje VLEN-it dhe OBRM-PDUKM-së në pushtet për zgjedhje të parakohshme.

“BDI me kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe njëherë dëshmon se janë shndërruar në parti politike pa ide dhe vizion. Të vetëdijshëm e çdo ditë e më shumë po ngushtohen si subjekt politik, të përballur me largime të vazhdueshme nga anëtarësia e tyre, shpëtimin e shohin në gënjeshtra të trilluara ndaj simpatizuesve të vet se gjoja qeveria po bie dhe BDI po kthehet, por atë nuk e beson as rrethi i tyre më i ngushtë. Me VLEN-in në Qeveri nuk do të ketë më persona me 20 vite përvojë pune dhe akoma të jesh bashkëpunëtor i ri. Sot kemi shqiptarë të cilët gëzojnë dinjitet që në vitin e parë të sundimit tonë. VLEN-i e prezanton legjitimitetin e plotë të popullit shqiptar, diçka që fuqishëm dhe qartë e përjetuam në zgjedhjet e fundit parlamentare me 107 mijë vota, ndërkaq akoma më qartë do ta dëshmojmë me fitore absolute në zgjedhjet lokale”, theksoi Qoku.

Në pyetjen e gazetarëve lidhur me Ligjin për përfaqësim të drejtë, Qoku theksoi se nesër do të gjendet në mbledhje të Qeverisë dhe se së shpejti pritet të hyjë në procedurë parlamentare.

Ndërsa për atë nëse dihen kandidatët për kryetarë të komunave për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe nëse janë sjellë vendime për ndonjë koalicionim parazgjedhor, Qoku tha se ende po zgjasin bisedimet dhe anketat, duke cekur se VLEN-i së shpejti do ta kumtojë kandidatin e pavarur për kryetar të Komunës së Strugës.