Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, z. Bekim Qoku, ka njoftuar miratimin e Ligjit për vendosjen e sistemit “One Stop Shop” në pikën kufitare Tabanoc, një hap i rëndësishëm për lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe të mërgatës sonë.

“Në prag të hapjes së sezonit të pushimeve verore, në kohën kur mërgimtarët tanë të dashur vijnë drejt familjeve dhe shtëpive të tyre, sot në Kuvend miratuam ligjin për ‘One Stop Shop’ në vendkalimin kufitar të Tabanocit. Me këtë u dhamë fund kolonave të gjata, pritjeve me orë të tëra dhe nervozizmit të shumtë – vetëm për të kaluar kufirin e fundit, pak kilometra para se të mbërrijmë në shtëpi, pranë të afërmve tanë”,ka theksuar Qoku.

Ai ka shtuar se ky hap përfaqëson një avancim të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve kufitare me të cilat, që nga pavarësia e shtetit, janë përballur qytetarët tanë, veçanërisht gjatë sezonit të pushimeve.

“Pas implementimit të suksesshëm në pikat kufitare të Bllacës dhe Jazhincës, zgjerimi i këtij modeli në Tabanoc është dëshmi e vullnetit tonë institucional për të sjellë efikasitet dhe dinjitet në raport me qytetarët, sidomos me mërgatën tonë të respektuar,” ka deklaruar Qoku.

" "

Ai ka theksuar se shteti dhe institucionet kanë për detyrë dhe qëllim përfundimtar që t’ua lehtësojnë dhe jo t’ua vështirësojnë jetën dhe përditshmërinë qytetarëve.

“Po bëjmë çmos që me këtë qeveri kjo të bëhet realitet. Kjo arritje është dëshmi se kur ka vullnet dhe përkushtim, ndryshimi është i mundur,” është shprehur Qoku.

Sipas tij, VLEN e ka promovuar si orientim të qeverisjes rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në shtet.

“Modeli ‘One Stop Shop’ nuk është thjesht një lehtësim procedurash – është një hap drejt një administrate që respekton qytetarin dhe njeh rëndësinë e mërgatës në zhvillimin e vendit.”

“Udha e mbarë dhe mirë se vini në vendlindje, mërgimtarë të dashur!”, tha në fund kordinatori i Grupit Parlamentar, Bekim Qoku.