Kryeministri Edi Rama është shprehur se qeveria shqiptare ka nisur punën për Samitin e NATO-s në Tiranë.
Komentet Rama i bëri gjatë fjalës së tij në rubrikën ‘Sy m’Sy’ në faqen e tij në Facebook, ku tha se Shqipëria synon hapjen e një tjetër grup kapitulli me Bashkimin Europian.
Rama deklaroi ndër të tjera se Shqipëria po vijon me ritëm procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Sipas kryeministrit, qëllimi mbetet hapja e të gjithë kapitujve brenda një afati të arsyeshëm.
Shefi i Ekzekutivit foli edhe për Samitin e Komunitetit Politik Europian që u mbajt së fundmi në Tiranë, të cilin e cilësoi një sukses të jashtëzakonshëm, jehona e të cilit sipas tij, vijon ende në korridoret e politikës europiane.
Rama po ashtu bëri të ditur se ka nisur puna për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, një ngjarje që sipas kryeministrit, kërkon përgatitje disavjeçare, raporton A2CNN.
“Grupi i inspektimit nga NATO në Bruksel ka ardhur për të analizuar opsionet dhe për të inventarizuar kapacitetet tona logjistike dhe infrastrukturore”, tha mes të tjerash Rama./