Rasti Banjska/ Vazhdon me dëshminë e zyrtarit policor, Elez Peci: Ka pasë sulmues shumë afër Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon seanca gjyqësore në rastin Bajuka

Sot në këtë gjykatë do të dëgjohet dëshmia e zyrtarit policor Elez Pecit.
“E nderuara gjykatë, jam shumë shumë i lënduar shpirtërisht me humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Më 23 shtator plani operativ ka qenë 12 orësh për shkak të situatës. Si çdo herë rreshteri Afrim Bunjaku e ka bo orarin se kush ku punon. Si zakonisht kemi fillua me patrulla. Deri në orën 2 kemi qenë nëpër terren së bashku me Fahri Shalën. Diku rreth orës 2 jemi kthye në stacion. Nëpërmjet radiolidhjes është njoftua dhoma komanduese nga njësia NJNSH se në fshatin Banjskë mbi urë janë vendosur dy kamionë, u blloku rruga. Rreshteri i ndjere Afrim Bunjaku na ka ftua mua, Fahri Shalën dhe Sadat Dushin na ka dhënë detyrat dhe jemi pajisur. Unë kam qenë në automjet me rreshterin Afrim Bunjaku. Duke shkua në fshatin Joshevik komuna e Zvecanit, 1 km pa ju afru Banjskës, e kemi pa një automjet. E kemi ndalë automjetin, kemi kërkua dokumentacionin e tij, automjetin, në karrige të pasagjerit e kemi gjet një antenë e radiolidhjeve të Policisë, por pasi që personi nuk ishte i kërkuam, ia kemi marrë të dhënat dhe kemi vazhdua në drejtim të Banjskës”, ka thënë në dëshminë e tij Elez Peci, para trupit gjykues.
Tutje dëshmitari ka treguar në detaje për momentin e shpërthimit në hyrje të Banjskës që e la të vrarë rreshterin Bunjaku.
Ai tha se betonimi ishte aq i fortë sa ia ka humbur bilancin.
“E kam vërejtur se fshati shumë terr, ndërsa rruga që përshkonim ne shumë ndriqim i fortë. Kur jemi afru te kolegët tanë, unë kam dyshua dhe kam thënë koleg po shpërndahemi se mundet me qenë kurth. Prapa meje ka ardhë Sadati. Një kamion i gjelbër ka qenë buzë lumit Banjska. Në atë moment ka ndodhë një detonim shumë i fortë, aq i fortë sa ma ka humbur edhe bilancin. E kam marrë vetën por kanë pasuar te shtëna armësh, të kalibrave të ndryshëm. Kur e them këtë, unë e kam të kryer shërbimin ushtarak, i njoh kalibrat…Ka pasë shtëna armësh në formë të hënës nga shkolla në anë të majtë deri të hoteli tash ku është Posta e Kosovës. Ka pasë sulmues shumë afër 10-15 metra”, ka vazhduar dëshminë zyrtarit policor Elez Peci.
Të enjten ka përfunduar dëshminë e tij zyrtari policor, Mirsad Kryeziu. Rreshteri ka treguar momentin kur mori vesh se Afrim Bunjaku ndërroi jetë. Dëshmitari ka treguar se me shumë vështirësi ka arritur që ta fus në veturë rreshterin Bunjaku dhe janë nisur në drejtim të Mitrovicës.
Ndryshe Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, nga 45 të akuzuarit sa janë gjithsej për këtë sulm terrorist në krye me kriminelin Milan Radojiçiq, akuzohen për kryerje të veprave terroriste, sulm në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Përveç tre të akuzuarve që janë duke u gjykuar nga drejtësia kosovare, 42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radojiçiqin, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati.
Më 11 shtator të 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave në krye me kriminelin Milan Radoiiciq, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e përgjegjësit të grupit terrorist, Milan Radoiçiq dhe të akuzuarit tjerë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.