Rasti për Vanjën dhe Pançon, Prokuroria ka kërkuar masa kujdesi për personin që u arrestua gjatë ditës së djeshme

Prokuroria Themelore njoftoi se kanë kërkuar nga gjykata masa kujdesi, respektivisht kanë kërkuar që t’i merret përkohësisht pasaporta dhe të caktohet detyrimi që të paraqitet te autoritetet, personi i cili dje u arrestua pas dëshmisë së Velibor Manev, njërit prej të akuzuarve për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, përcjell TV21. Nga Prokuroria shtojnë se hetimi ndaj këtij personi përbën një rast të veçantë, që sipas tyre, nuk ndikon në procedurën gjyqësore për dy rrëmbimet dhe vrasjet, e cila është në fazën përfundimtare dhe në kuadër të së cilës Prokuroria Publike e ka mbështetur aktakuzën me një numër të madh, siç theksojnë, provash verbale dhe materiale për veprat e kryera.
“Sipas dëshmisë së njërit prej të akuzuarve, i dyshuari aktual ka ndihmuar në fshehjen e mjeteve me të cilat janë kryer veprat penale për të cilat është paraparë dënim me burgim të përjetshëm. Pas udhëzimeve të dhëna nga i akuzuari kryesor, i dyshuari ka marrë nga ambientet e partisë politike “E Djathta” një çantë të kaltër në të cilën ndodhej një armë zjarri, pistoletë, me të cilën janë kryer dy veprat penale, dhe e ka larguar nga selia e partisë. Me këtë veprim, ai u ka ndihmuar të akuzuarve të mos zbulohen. Për të verifikuar këto pretendime, prokurori publik ka siguruar urdhra gjyqësorë për të kryer kontrolle në dy lokacione, ndërsa po ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore”, thonë nga Prokuroria.
Ndryshe, i akuzuari Velibor Manev në seancën e djeshme gjyqësore tha se i akuzuari i parë, Lupço Paleski-Pallço e kishte telefonuar nga kufiri në Turqi dhe e kishte urdhëruar që të kontaktonte me personin me iniciale Z.D., i punësuar në Bankën Popullore dhe anëtar i partisë “E Djathta”. Qëllimi, sipas Manevit, kishte qenë “të largonte dhe shkatërronte pakon” – fjalë që e përdornin për çantën me armë.