Rami Mislimi

Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL) është shndërruar prej vitesh në një pronë private të një klani të etur për pushtet dhe përfitime personale. Aty ku dikur kishte vizion akademik dhe prestigj, sot ka një emër, një klan, një grup që shkruan në çdo murë të këtij universiteti se ky kampus është “pronë” e Abdylmenaf Bexhetit.

Gjatë gjashtë viteve të fundit, UEJL ka përjetuar një rënie të thellë. Nën sundimin e Bexhetit, jo vetëm që janë ndalur reformat, por është varrosur çdo shpresë për meritokraci dhe cilësi. Profesoret janë zhgënjyer, studentët janë larguar, ndërsa administrata është mbërthyer në frikë dhe nënshtrim.

Sot është zgjedhur një rektor i ri. Por ky “i ri” është vetëm një kukull e re me fije të vjetra, një njeri që nuk di as anglishten elementare në një universitet që pretendon të jetë ndërkombëtar!

Pra është zgjedhur “Abdylmenaf Bexheti” më falni, Sadudin Ibrahimi sepse është i njeti, por ndryshon pamja fizike.

Zgjedhja e tij nuk është votë e lirë, por një tjetër akt i neveritshëm në teatërin e klanit të Abdylmenaf Bexhetit.

Zgjedhja e parë e Bexhetit u mbështet nga Zoran Zaev dhe në atë kohë e kamë thënë dhe e përsëris, se për tu bërë rektor Bexheti mori pjesë në tubimin publik në mes të Tetovës në mbështetje të LSDM-së dhe Zoran Zaevit janë edhe fotografitë, por edhe videot. Më pas isha i paditur nga Bexheti në Gjykatë për gjoja mashtrim, dhe Gjykata vendosi të vërtetën në anën time.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Pavarasësisht humbjeve në Gjykata, Bexheti nuk e lëshonte UEJL-në.

Sot vetëm vazhdoi ajo rrugë e “sllavizmit” të Abdylmenaf Bexhetit, mbështeti rektorin e ri për të vazhduar kontrollin e plotë mbi institucionin. Nuk ka asnjë ndryshim në ide, në punë, apo në qëllime, ndryshon vetëm frizura e rektorit dhe emri i fshatit nga ku vjen.

Vizioni është i njëjtë!

Dikur ishte krenari të studioje në UEJL. Tani është turp. Profesorët që dikur shëtisnin krenarë me këmisha të bardha sot ecin me këmisha të grisura, jo për modë, por nga mjerimi që ua shkakton një sistem që s’u njeh dinjitetin.

Me Abdylmenaf Bexhetin, nuk pati as paga më të mira, as respekt më të madh, as ndonjë kthesë progresive. Vetëm përbuzje dhe mjerrim.

Pavarësisht rizgjedhjes së “Abdylmenaf Bexhetit” rektor të ri, në fakt Sadudinit, sot ju tha pështyma edhe Bexhetit edhe Sadudinit, sepse sikur ndërkombëtarët nuk dëshironin që të vazhdojë një rektor i ri me ide të vjetra dhe të ndikura nga ish rektori. Pështyma ju tha dhe procesi i votimit u zgjatë aq shumë sa që të kishte vazhduar më tej, do ju kishte ra “tre herë të fajkët” siç thotë Adnan Azizi, dy rektorëve të ardhshëm.

Për të çliruar UEJL nga kthetrat e pangopurve duhet që Ministria e Arsimit urgjentisht të ndryshojë ligjin për zgjedhjen e rektorit në UEJL. Ky proces nuk mund të jetë më një lojë e mbyllur mes një grusht njerëzish. Vota duhet t’u kthehet të gjithë punonjësve të universitetit, si në çdo universitet normal që aspiron demokraci dhe cilësi.

Nëse kjo nuk ndodh, UEJL do të futet edhe më thellë në batakun e një pseudo-universiteti privat, pa mbështetje publike, pa besueshmëri akademike dhe pa të ardhme.