Një roje sigurie nga Hoteli “Intercontinental” në Los Angeles dëshmoi të enjten kundër reperit të njohur amerikan, Sean “Diddy” Combs, duke deklaruar se artisti i kishte paguar 100 mijë dollarë (87 mijë euro) në para të gatshme për të fshehur një video sigurie nga viti 2016. Në pamjet, të cilat janë tashmë provë kyçe në procesin gjyqësor kundër Combsit, ai shihet duke ushtruar dhunë fizike ndaj partneres së tij të atëhershme, këngëtares Cassie Ventura.

Gjatë seancës u transmetua pikërisht kjo video, ndërsa dëshmuan tre persona, përfshirë edhe vetë Cassie-n. Ajo tregoi se kishte tentuar të arratisej nga një nga të ashtuquajturat festa “freak off” – ngjarje të cilat, sipas saj, përfshinin abuzim seksual, drogim dhe incizime të fshehta. “Kur vendosa të largohem, mora ç’të mundja dhe dola nga dhoma. Sean më ndoqi në korridor, përpara ashensorit, më rrëzoi në tokë, më goditi me shkelma dhe tentoi të më tërhiqte sërish në dhomë”, tha ajo.

Avokatët e Diddy-t pranuan se ai mban përgjegjësi për dhunën që shihet në video, por mohuan akuzat për trafikim njerëzor, zhvatje dhe lidhje me prostitucionin – akuza për të cilat aktualisht ndodhet pas hekurave.


Foto: Profimedia/EPA
Eddy Garcia, roja i sigurisë në hotel, dëshmoi se Combs ishte jashtëzakonisht i shqetësuar që videoja mund të bëhej publike. “Ishte i frikësuar se videoja do të shpërndahej dhe do t’i shkatërronte karrierën,” tha ai për ABC News. Garcia tregoi se Diddy e pagoi me para të gatshme dhe më pas e quajti “engjëlli i tij”.

Garcia kishte mësuar për incidentin menjëherë pasi kishte nisur ndërrimin e tij më 5 maj 2016. Sipas tij, policia nuk u informua pasi Cassie nuk kishte kërkuar ndihmë. Rreth një orë më vonë, ai u kontaktua nga ndihmësja e Diddy-t, Kristina Khorram, e cila kërkoi akses në pamjet e kamerave të sigurisë. Garcia e refuzoi, duke thënë se nevojitej kërkesë zyrtare, por Khorram u paraqit gjithsesi në hotel. “Më pyeti për videon dhe nëse kishte ndonjë mënyrë për ta parë. Donte të dinte me çfarë kishin të bënin,” dëshmoi Garcia, i cili i tha se në pamje “shihet diçka e rëndë”.

Pas kësaj, Garcia u kontaktua nga vetë Combs, i cili ishte shumë i shqetësuar dhe nervoz. “Më pyeti nëse dija kush ishte ai. I thashë që e dija. Fliste me shpejtësi, më tha që kishte pirë shumë dhe se e di si shkojnë gjërat me gratë kur një gjë të çon te një tjetër. Tha se dukej sikur jam një njeri i mirë që do të ndihmonte, dhe se kjo mund t’ia shkatërronte karrierën”.

Combs i ofroi 100 mijë dollarë (87 mijë euro) për të marrë videon. Garcia e pranoi ofertën. Reperi i dha një adresë rreth 20 minuta larg hotelit, ku Garcia dorëzoi një USB me atë që ai e quajti “kopja e vetme e videos”. Pasi Diddy u sigurua që nuk kishte kopje të tjera, ai thuhet se kontaktoi Cassie-n, e cila gjithashtu dëshironte që videoja të mos dilte në publik. “Kur më dha telefonin, i thashë ‘Përshëndetje’, ajo tha ‘Përshëndetje’ dhe shtoi që së shpejti do të dilte filmi i saj dhe se nuk ishte koha e duhur që ajo video të publikohej”, tregoi Garcia.

Ai gjithashtu firmosi një marrëveshje konfidencialiteti. Combs dhe truproja e tij e përcollën deri te makina. “Më pyeti si do t’i shpenzoja paratë. I thashë se nuk e dija. Më këshilloi të mos blija gjëra të mëdha,” kujtoi Garcia. Disa javë më vonë, Diddy i dërgoi një kartolinë për Pashkë dhe e pyeti nëse kishte dëgjuar ndonjë përmendje të videos. Garcia u përgjigj që jo.

Pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur të fshehtë, videoja u publikua vitin e kaluar për herë të parë nga CNN. Pas publikimit, Diddy u përball me kritika të forta dhe kërkoi falje publike ndaj Cassie-t, duke theksuar se ndiente keqardhje të sinqertë dhe se kishte kërkuar ndihmë profesionale.


Foto: Profimedia/EPA
Pas dëshmisë së Garcias, prokuroria thirri si dëshmitar bashkëpunëtorin e vjetër të Diddy-t, Derek Ferguson, për të hedhur dritë mbi mënyrën se si funksiononin bizneset e tij. Akuza pretendon se kompanitë e Diddy-t janë përdorur për të fshehur aktivitete të paligjshme.

Punonjës të ndryshëm dëshmuan se ishin ngarkuar me blerjen e produkteve për të ashtuquajturat “freak off” – përfshirë vaj për bebe, lubrifikantë, drogë dhe alkool. Gjithashtu u paraqitën dokumente të pagesave, përfshirë një transaksion nga nëna e Cassie-t, Regina, e cila kishte dërguar 20 mijë dollarë, nga frika për sigurinë e vajzës së saj. Ferguson pohoi se nuk kishte dijeni pse ishin dërguar paratë.

Ai tha gjithashtu se nuk kishte parë ndonjë që ndihmonte drejtpërdrejt Diddy-n në ndonjë krim. Procesi gjyqësor vazhdon, me pritjen e dëshmive të tre personave të tjerë: eksperti i videove Frank Piazza, Bryana Bongolan – e cila pretendon se Diddy e kishte kërcënuar me vdekje dhe e kishte varur nga ballkoni – si dhe një grua që njihet me emrin “Jane”, për të cilën pritet të japë një dëshmi të gjatë. Ajo pritet të jetë gruaja e tretë dhe e fundit që ngre akuza ndaj Diddy-t në këtë proces.