Xhemazije Rizvani

Një intervistë e ngarkuar me emocione dhe dhimbje – e tillë ishte biseda me Mixhait Demirin, një shqiptar nga Turqia, i cili prej vitesh zhvillon një betejë të ashpër ligjore për të fituar nënshtetësinë e Maqedonisë së Veriut dhe për t’u kthyer në vendlindjen e tij, në fshatin Presill të Krushevës.

Demiri është një ndër mijëra shqiptarë që u shpërngulën në Turqi si fëmijë të vegjël gjatë valëve të emigrimit të detyruar, pas marrëveshjeve famëkeqe mes Jugosllavisë dhe Turqisë. Atje u regjistrua me identitet turk, gjë që sot i pamundëson kthimin dhe rivendosjen e tij si shtetas i origjinës.

“Kam lindur në Presill, dhe dua të prehem atje ku kam lindur,” rrëfen ai mes lotëve, në një nga momentet më prekëse të intervistës që, për shkak të intensitetit emocional, u desh të montohej me kujdes për të shmangur shndërrimin e dhimbjes në spektakël.

Ky rrëfim i rrallë hedh dritë mbi trajtimin e shqiptarëve të shpërngulur në Turqi dhe betejat e tyre identitare që zgjasin për dekada.