Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës janë pajtuar që seanca e radhës të mbahet nesër, e jo pas 48 orësh siç ndodh zakonisht.
Kjo pajtueshmëri mes tyre u arrit shkaku se të premten festohet Kurban Bajrami, njofton Klankosova.tv.
Limaj i qartë: Duhet të ketë marrëveshje politike, për parlament edhe qeveri
Lideri i Nismas, Fatmir Limaj, ka thënë se subjekti që përfaqëson ka shprehur gatishmëri për të ofruar zgjidhje për qytetarët për konstituim.
Megjithatë, Limaj u shpreh se qëndrimet e tyre janë të njohura dhe s’kanë ndryshuar, transmeton klankosova.tv.
”Tani më, tash e sa kohë janë zhvillimet e njëjta. Besoj që dalë nga dalë po ofrohet koha dhe besoj shumë shpejt Kosova do t’i ketë institucionet e veta”.
”Ajo që është e qartë, është se duhet të ketë një marrëveshje politike edhe në parlament edhe në qeveri”.
”Tani më takimet kanë ndodhë, dhe do të ndodhin, sot kemi takimin edhe me presidenten. Është një përpjekje për të gjetë zgjidhjen. Ju e dini tani, ne kemi bërë të njohur qëndrimet. Ato që i kam të njohura i kam të njëjtat”.
”Nisma është e gatshme të jap kontributin e vet, me qenë e përgjegjshme. Kemi dashtë të jemi të përgjegjshëm edhe para votuesit tonë, dhe a do të jetë kjo zgjidhje përfundimtare, nuk varet më nga ne, por edhe nga të tjerët”.
Çitaku: Është momenti të mendojmë për qytetarin më shumë se për vetveten
Vlora Çitaku ka folur pas dështimit të seancës së 26-të.
Ajo theksoi se është momenti për të menduar për qytetarin, më shumë se për vetveten, transmeton Klankosova.tv.
“Vendi është në krizë, ekonomia është në krizë, është momenti të mendojmë për qytetarin më shumë se për vetveten”, tha ajo.
Ka dështuar edhe seanca e sotme në përpjekje për ta konstituuar parlamentin.
Vetëm 53 deputetë votuan pro themelimit të komisionit për votim të fshehtë, rezultat ky që është përsëritur edhe në disa seanca të kaluara.
Sot u zhvillua tentativa e 26-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por partitë opozitare përsëri dolën kundër themelimit të komisionit.
Para fillimit të seancës, shumë deputetë nga partitë opozitare theksuan me vendosmëri se nuk do ta mbështesin Albulena Haxhiun për kryetare të parlamentit, njofton Klankosova.tv.
Lushaku-Sadriu ngrit shqetësime për ngërçin: Kosto e lartë për qytetarët, çmimet janë rritur
Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike ka ngritur shqetësim sesi Lëvizja Vetëvendosje ka sjell ngërç politik dhe për këtë po pësojnë më së shumti qytetarët.
Siç tha ajo, meqë në këtë kohë, çmimet janë rritur, dhe po shkakton krizë në xhepin e qytetarëve, transmeton klankosova.tv.
”Duhet mos me harru që në këtë moment që po flasim, çmimet janë rritur, inflacioni është rritur. Jeta dhe vështirësitë e qytetarëve janë rritur. Dhe ne kemi një mungesë të shtetit për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës”.
”Ne jemi përfaqësues të një grupi të qytetarëve, si LDK, ne jemi me një program dhe ua kemi prezantu qytetarëve”.
”Edhe atëherë kur kemi refuzuar, kemi dhënë opsionet tona”.
Çka thotë Albulena Haxhiu pas 26 dështimeve në Kuvend?
Kandidatja e VV-së për kryeparlamentare Albulena Haxhiu, pas dështimit të seancës së 26-të, tha se nuk po kërkojnë që opozita të votojë për komisionin e fshehtë, por të marrë pjesë në votim.
Ajo tha se edhe nëse kalon ky komision, nëse ata konsiderojnë se është bërë shkelje, mund t’i drejtohen Kushtetueses.
“18 herë radhazi deputetët e opozitës ishin të pranishëm dhe nuk morën pjesë në votim. Ne nuk po kërkojmë që ata të votojnë për, nëse duan të votojnë për është mirë, mund të votojnë kundër, të abstenojnë, nëse kalon komisioni mund t’i drejtohen Kushtetueses nëse ata konsiderojnë që kemi bërë shkelje”, tha Haxhiu para mediave, njofton Klankosova.tv.
Sulmi ndaj Baljes, Rexhepi: Nuk e përkrahi asnjë gjuhë të keqe
Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi është shprehur kundër çdo gjuhe që denigron deputetër.
“Nuk e përkrahi asnjë gjuhë të keqe, Duda Balje ka qenë në koalicion me VV-në katër vjet, nuk di çka të them më shumë”, u shpreh ajo para mediave pas deklaratës së Arbëreshë Kryeziut drejt deputetet Duda Balje, pak ditë më parë, njofton Klankosova.tv.
Sa i përket kandidates së VV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun, ajo tha se e votojnë.
“Kemi një kandidate, Albulena Haxhiun. E votojmë. Deri tash vetëm Albulena është kandidate”, tha ajo.
Komisioni për votim të fshehtë, Çeku: E pranojmë çfarëdo vendimi të Kushtetueses
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje do ta pranojë çfarëdo vendimi të Kushtetueses.
Ai para mediave tha se janë në pritje të përgjigjes nga Kushtetuesja, ku javë më parë partitë opozitare kanë dërguar ankesë.
“Janë bërë 18 përpjekje për ta themeluar komisionin për votim të fshehtë, të cilin po e refuzon opozita. Kemi kryer obligimet tona për emrin e kandidates dhe kemi ofruar zgjidhje të tjera, mirëpo refuzimi i opozitës për ta votuar këtë komision është shkelje e kushtetutës”.
“Opozita duke mos e votuar këtë komision, po e shkel kushtetutën por pastaj po e pamundëson zgjidhjen e daljes nga kjo krizë. E kemi një rast në kushtetuese të cilën e kanë dërguar partitë e opozitës, po presim mendimin e kushtetueses. Do ta respektojmë çfarëdo vendimi”, tha më tej deputeti i VV-së, njofton Klankosova.tv.
Bogujevci thotë se deputetë të partive tjera pranuan t’u japin votë në mënyrë të fshehtë
Saranda Bogujevci nga Vetëvendosje, ka thënë se ky subjekt ka ofruar zgjidhje mbi ngërçin por opozita nuk ka shprehur gatishmëri.
Madje siç tha ajo, ka edhe deputetë të cilët iu kanë ofruar votën atyre për konstituim, transmeton klankosova.tv.
”Ne kemi propozu që të bëhet votimi i fshehtë për shkak se ka pasë edhe deputetë edhe të subjekteve të tjera politike që kanë shprehë interesim që me ecë tutje”.
”Këtë e kanë thënë mes neve. Çka kanë deklaru tutje publikisht është tjetër”.
Limaj: Nëse s’ka ndryshim të gjendjes sjellja jonë në parlament do të jetë e njëjta
Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se nëse nuk ka ndryshim të gjendjes, sjellja e tij dhe deputetëve të partisë së tij, do të jetë e njëjta.
Megjithatë, ai u shpreh optimist duke thënë se Kosova shumë shpejt do t’i ketë institucionet e veta, njofton Klankosova.tv.
Hasani: S’e votoj një qeveri me VV-në, s’u tregua korrekt ndaj procesit të Speciales në Hagë
Deputeti i betuar i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se nuk do ta votojë një qeveri me Vetëvendosjen pasi siç deklaroi ai, nuk u tregua korrekt ndaj procesit të Gjykatës Speciale në Hagë, njofton Klankosova.tv.
Ai para mediave tregoi se ka pasur kërkesa nga VV-ja, konkretisht i kërkuan mbështetje, por i njëjti nuk ua ka ofruar.
“Nuk jemi armiq, jemi kolegë në Kuvend. Bisedojmë për hallet tona të përditshme dhe gjendjen politike. Nuk do ta votoj një qeveri me VV-në, sepse nuk u tregua korrekt ndaj procesit të Gjykatës Speciale në Hagë. Zgjedhjet lokale po afrohen, katër muaj kanë mbetur nga procesi nëse nuk ndryshon. Situata sot është mjerim i partive politike, kryetarët duhet të gjejnë zgjidhje jo deputetët. Ata duhet të bëjnë kompromis për hir të qytetarëve”, deklaroi Hasani, njofton Klankosova.tv.
“Kam pasur kërkesa. Jo si oferta, por kanë kërkuar mbështetje. Ju kam thënë nuk ka mundësi”, shtoi ai.
Balje: Vetëvendosje nuk do ta propozojë kurrë Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit
Deputetja nga komuniteti boshnjak në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, ia ka qitur pikën në emisionin Ora 7 në Klan Kosova.
Ajo deklaroi se nuk beson se Lëvizja Vetëvendosje, do ta propozojë Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit.
Balje dha edhe arsyet se pse nuk do të ndodhë kjo.
“Unë personalisht mendoj që Vetëvendosje kurrë nuk do ta propozojë zotërin Fatmir Limaj. Kanë qenë shumë të qartë disi, se nuk mundësh të jesh kryetar i Kuvendit me tre deputet”, deklaroi Balje në Klan Kosova.
Deputetja nga komuniteti boshnjak tha se aktualisht është e pavarur, por ekzistojnë mundësitë të bashkëpunimit me AAK-në dhe Ramush Haradinajn.