Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë dërguar në sallë të prangosur e të rrethuar nga policët.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Naim Murseli, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, u deklarua sërish i pafajshëm, teksa tha se nëse vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, ai do të kërkojë vetë për vete dënim me burgim të përjetshëm.

“Po të vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, unë vetë për veten time kërkoj dënim me burgim të përjetshëm”, tha Murseli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

I akuzuari Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse i akuzuari Kushtrim Kokalla u deklarua i pafajshëm. I vetmi që e kishte pranuar fajësinë ishte Tom Dodaj, i cili akuzohej për shitjen e armës me të cilën u krye vrasja. Sipas aktakuzës ai ua kishte shitur armën Naim Murselit e Granit Plavës për 280 euro. Për këtë vepër, Gjykata e kishte dënuar Dodajn me pesë vjet burgim e pesë mijë euro gjobë.

Liridona Ademaj u vra në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë. Rasti fillimisht ishte cilësuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Në raportin 24 orësh të Policisë, një ditë pas ngjarjes, thuhej se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.