Gjatë ditës së sotme, drejtori i ISHP ” Shtëpia e Shëndetit ” në Kumanovë, Sedat Zulbeari mbajti një press konferencë ku ka folur për aktivitetet e tij gjatë mandatit një vjeçar.

Ai përmendi sfidat me të cilat është përballur ku midis tjerash theksoi se ishte çështje e ndjeshme ajo me afër 30 kontratat e lidhura në kundërshtim me ligjin.

“ Në fillim të mandatit tim si drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë, u përballa me sfida serioze, që kërkonin vendimmarrje të guximshme dhe mbi të gjitha, respekt të pa kompromis ndaj ligjit dhe interesit publik. Si një ndër çështjet më të ndjeshme ishte situata me afër 30 kontrata të lidhura në kundërshtim me ligjin, të cilat u detyruam t’i ndërpresim, gjë që në atë kohë shkaktoi reagime në opinion, por që erdhën kryesisht si rezultat i mos informimit të plotë mbi detyrimet tona ligjore brenda institucionit”, deklaroi Zulbeari.

Zulbeari njoftoi opinionin se brenda më pak se një viti janë rikthyer 29 vende, të cilat drejtori i BDI-së i kishte realizuar në mënyrë anti-ligjore.

“Sot, me kënaqësi theksoj se për më pak se një vit kemi arritur t’i rikuperojmë ato vende pune në mënyrë të ligjshme dhe të miratuara me të gjitha procedurat e nevojshme, ku kemi realizuar 29 punësime. Këtu janë përfshirë: mjek, stomatolog, motra medicinale, farmacistë dhe shërbime teknike. Shumë prej personave që më parë kanë qenë të angazhuar, janë rikthyer përmes procedurave të rregullta, duke dëshmuar se ky institucion nuk përjashton, por përfshin – gjithmonë në përputhje me ligjin. Kjo qasje është thelbësisht e ndryshme nga ato të mëparshmet, të cilat tashmë dihet se janë objekt i procedurave hetimore të prokurorisë për praktika të dyshimta punësimi.
Ne kemi zgjedhur rrugën e drejtë dhe të ligjshme, duke ndërtuar besimin e qytetarëve në institucionet publike”, nënvizoi Zulbeari.