Në një konferencë për media të mbajtur sot, kryetari i Komunës së Zhelinës dhe përfaqësues i koalicionit VLEN, Blerim Sejdiu, hodhi akuza të rënda ndaj Entit Shtetëror të Statistikave dhe BDI-së për manipulime të qëllimshme gjatë regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, duke e cilësuar atë si një projekt politik për të minimizuar numrin e shqiptarëve në vend.

“Ky nuk ishte një proces statistikor. Ky ishte projekt politik, i ideuar për të zvogëluar shqiptarët në letra, për t’i fshirë nga statistikat, për t’i nxjerrë jashtë vendimmarrjes”, deklaroi Sejdiu.

Ai akuzoi BDI-në dhe LSDM-në për bashkëpunim në këtë proces të cilin e quajti “një nga padrejtësitë më të mëdha institucionale që i është bërë ndonjëherë popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut”.