Pasditen e sotme, Shkupi u përfshi nga një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm, erëra të forta dhe reshje breshëri. Stuhia preku disa zona të ndryshme të qytetit.
Në disa komuna të Shkupit u vunë re shtresa të dendura breshëri, ndërsa qytetarët ndanë në rrjetet sociale fotografi të oborreve, çative dhe automjeteve të mbuluara me një shtresë të dendur breshëri.
Autoritetet kompetente, deri më tani, nuk kanë raportuar për dëme materiale apo persona të lënduar. Megjithatë, u bëhet thirrje qytetarëve për kujdes dhe ndjekje të rregullt të parashikimeve të motit.
Meteorologët parashikojnë që moti i paqëndrueshëm do të vazhdojë edhe në orët në vijim, me mundësi për reshje të tjera lokale dhe stuhi me bubullima.