Dje në orët e pasdites, pas një kërkese nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), Ushtria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të seriozitetit të lëndimeve dhe terrenit të papërshkueshëm, kreu evakuim urgjent mjekësor me helikopter nga Njësia Ajrore, të një personi që kishte rënë në një humnerë pranë Zholit të Livadicës në Malin Sharr.

Siç bëri të ditur Shtatmadhoria e Ushtrisë, personi i lënduar kishte thyer dorën, këmbën dhe ijet gjatë rrëzimit, si dhe kishte gjakderdhje të madhe, duke qenë në gjendje kritike. Në vendngjarje kishte ndërhyrë një ekip paramedikësh, të cilët, përkundër terrenit të vështirë, arritën të nxjerrin dhe të imobilizojnë personin e lënduar.

Ushtria, në koordinim me QMK-në dhe institucionet shëndetësore, kreu me sukses evakuimin mjekësor dhe e dorëzoi personin e lënduar ekipit të ndihmës së shpejtë, pas së cilës u transportua për trajtim të mëtejshëm spitalor. Ushtria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me institucionet tjera shtetërore, vazhdon të veprojë në interes të qytetarëve, duke siguruar mbështetje profesionale dhe të menjëhershme, thuhet në njoftim.