Rami Mislimi
Askush nuk e kishte menduar dhe askush nuk do ta besonte se edhe në sport shqiptarët do të shtypeshin, do të masakroheshin dhe në fund do të poshtëroheshin.
Por kjo ndodhi.
Qeveria e re VMRO-VLEN disa ditë më parë shpërbleu 22 sportistë maqedonas me pensione të përhershme, ndërsa asnjë shqiptar nuk u përfshi në listë.
Kjo nuk është vetëm padrejtësi, është një goditje më e rëndë se një bombë atomike për sportistët shqiptarë, për dinjitetin e tyre, për djersën dhe sakrificën që kanë bërë ndër vite në kushte të vështira dhe pa mbështetje shtetërore.
Shteti në krye me VMRO dhe me mbështetjen e heshtur të VLEN-it, shkeli mbi vullnetin, djersën dhe krenarinë e çdo sportisti shqiptar. Vendimi i VMRO-së që favorizoi sportistet maqedonas me pensione, shqiptarët nuk i u përjashtuan vetëm nga sporti, por edhe nga historia.
Nëse VMRO-ja “e harroi” Shaban Tërstenën, pse VLEN-i nuk e kujtoi?
Nëse VMRO-ja “e harroi” Nuri Seferin, pse VLEN-i heshti?
Nëse VMRO-ja “e harroi” Ferhan Hasanin dhe Shaban Sejdiun, pse VLEN nuk i ngriti zërin?
Nëse VMRO e ka të zakonshme të përjashtojë shqiptarët, VLEN-i pse e pranoi këtë turp?
Në kohën kur sportistët maqedonas nderohen me pensione, shqiptarëve u ofrohen murale, si për të heshtur dhimbjen e tyre me ngjyra nëpër mure. Dy ditë pas vendimit të qeverisë, kur mbi sportistët shqiptarë u hodh baltë, kryetari i Tetovës Bilall Kasami përgjigjet me një mural të Nedim Bajramit në një sallë sporti. Një gjest i thatë e pa vlerë në krahasim me mungesën e mbështetjes reale për sportisët shqiptar pse jo edhe për Nedim Bajramin.
Sot gjithashtu në muralin e Nedim Bajramit nuk mungoi edhe zv/ministrja e Sportit Safije Shaini ku dy ditë më parë ajo nuk foli kur u përjashtuan sportistët shqiptarë. I thahej buza kur duhej të vendoste, por erdhi me buzëqeshje në Tetovë për një mural që nuk e mbulon as turpin, as padrejtësinë, as heshtjen e saj.
Zv/ministrja sot në Tetovë u mundua të recitojë një poezi për Nedimin e të dukej patriote, por poezitë zv/ministre nuk të bëjnë as më sportdashëse e as më patriote.
Ti ishe aty ku duhej të flisje për Shaban Tërstenën, Nuri Seferin, Shaban Sejdiun, Ferhan Hasanin.
Por ti firmose listën e turpit, dhe tani vjen të bësh foto si përfaqësuese e një populli që po e tradhton me heshtje.
Po, ne e dimë që shqiptarët me VLEN-in janë të pafuqishëm, ne e dimë që Bilall Kasami dhe në këtë rast, Safije Shahini janë për murale e jo për ndihma tjera, por ia themi edhe VLEN-it, Bilallit dhe Safijes se shqiptarët janë më të fortë se muralet fallco që i bëni.
Ky mural i Nedim Bajramit në Tetovë nuk është nderim për futbollistin me preardhje nga Tetova është tallje me sportistët shqiptarë dhe me qytetin e Tetovës. Respekti më i madh për Nedimin do të ishte që ai sot jo të ishte një mural apo pikturë në një sallë sporti, por të luante në stadiumin e “premtuar” nga Bilall Kasami që e rrënoi dhe nuk e ndërtoi.
Dhe në fund në vend të muraleve tjera që mund të na mashtrojë Bilalli bashkë me Safijen në të ardhmen, po ua shkruaj 22 sportistët që u shpërblyen nga qeverisja VMRO-VLEN.
Futboll: Goran Pandev, Darko Pançev, Ilija Najdovski
Basketboll: Petar Naumoski, Pero Antiç
Hendboll: Kiril Lazarov, Stojançe Stoilov, Vlado Nedanovski, Petar Angelov, Marko Kiziç, Marko Mishevski, Martin Popovski, Valentina Radulloviç, Elena Gjorgjievska, Indira Kastratoviç, Gordana Naceva, Mirjana Çupiç, Mileva Velkova, Anxhela Platon, Larisa Kiseljova, Elena Zlatanovska Muratovska, Klara Boeva
Nëse në këtë listë lexoni qoftë edhe një shqiptar, atëherë murali i Nedim Bajramit në Tetovë ka një kuptim.
Nëse nuk gjeni asnjë shqiptarë, atëherë jepni kuptimin vetë ju!