Shteti shqiptar do të jetë aksioner në resortin turistik që do të ndërtohet në Sazan nga Jared Kushner.

Kompania që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë projekt është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin “Albanian State Development & Real Estate”, pak pasi Jared Kushner dhe Ivanka Trump vizituan Vlorën.

Në ekstraktin e regjistrimit të kompanisë thuhet se: “Kjo shoqëri duhet të sigurojë menaxhimin, zhvillimin dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurive të paluajtshme”.

Po ashtu “Albanian State Develompent” do të ketë të drejtën të planifikojë, projektojë dhe zbatojë projekte të tjera të rëndësishme ndërtimore duke u fokusuar në zhvillimin urban

Kapitali i shoqërisë është 50 milionë lekë, të zotëruara 100% nga Korporata e Investimeve Shqiptare.

Krijimi i shoqërisë do të përfaqësojë shtetin në projektin me një vlerë të parashikuar investimi prej 1.4 miliardë eurosh, që synon ndërtimin e një marine turistike, rezidenca elitare, restorante dhe hotele në një sipërfaqe 45 hektarë, nga 570 hektarë që është sipërfaqja e ishullit gjithësej.

Kujtojmë se planet për zhvillimin e Sazanit dhe Zvërnecit nga Jared Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit 2024.