Që prej orës 10:00 të kësaj të hëne ka nisur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca e parë gjyqësore në themel për çështjen e njohur si “Dosja Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Në këtë seancë, SPAK u përfaqësua nga prokurori Arben Kraja, ndërsa mungoi prokurorja tjetër e çështjes, Enkeleda Millonai, për arsye shëndetësore.

Sali Berisha nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit dhe u përfaqësua nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Klodiana Gjyzari. Avokatja Gjyzari deklaroi në seancë se njoftimi për seancën gjyqësore i është dërguar Berishës vetëm ditën e premte dhe është firmosur nga Jamarbër Malltezi. Sipas saj, koha për njoftim ka qenë e pamjaftueshme dhe ata nuk kanë pasur kontakte me klientin gjatë kësaj periudhe.

Në seancë ishte i pranishëm Jamarbër Malltezi, si dhe i pandehuri Xhimi Begeja. Ndërkohë munguan të pandehurit e tjerë, Andia Pustina dhe Fatmir Bektashi, të cilët gjithashtu u përfaqësuan nga avokatët e tyre.

Pasi dëgjoi palët Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyu për në datën 21 korrik seancën e parë në themel për “Dosjen Patizani”.

Shkak për shtyrjen e seancës u bënë mungesat e të pandehurve Sali Berisha dhe Fatmir Bektashi. Sipas gjykatës, Berisha nuk është njoftuar sipas parashikimeve ligjore, ndërsa Bektashi ka paraqitur arsye shëndetësore për mospraninë në seancë.

“U bë vetëm verifikimi i palëve dhe për shkak të mungesës së palëve nuk mund të vijohej vazhdimi i gjykimit. Seanca u shty më datë 21 korrik në orën 10:00”, tha avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.