Qasja në financim të drejtë është kusht kyç për sukses dhe për partneritet të besueshëm në përballjen me sfidat globale, porositi presidentja Gordana Siljanovska – Davkova në fjalimin në Konferencën e Katërt Ndërkombëtare për Financim të Zhvillimit, e cila nën patronazhin e KB-së mbahet në Seviljë.

Siç bënë të ditur nga kabineti i Siljanovska – Davkova, ajo në fjalimin e saj e theksoi rëndësinë e multilaterizmit dhe përpjekjeve të përbashkëta globale për përballje me varfërinë, ndryshimet klimatike, pabarazinë dhe padrejtësinë sociale.

“Siljanovska – Davkova paralajmëroi se ekzistojnë rreziqe serioze gjeopolitike dhe ekonomike të cilat i minojnë arritjet e deritanishme, duke shprehur besim në mundësinë për botë më të mirë dhe më të qëndrueshme.

Sipas saj, qasja në financim të drejtë është kusht kyç për sukses dhe për partneritete të besueshme. Në Paktin e ri për të Ardhmen, presidentja njeh një kontratë sociale globale të ripërtërirë. Ajo theksoi nevojën për përgjegjësi të përbashkët të të gjithë palëve të interesuara.

Duke potencuar se gati dy e treta e Qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm kanë lidhje me reformat e Bashkimit Evropian, presidentja informoi se Strategjia jonë Kombëtare për Zhvillim 2024-2044 është harmonizuar me Kornizën më të re për bashkëpunim për zhvillim të qëndrueshëm të OKB-së.

Siljanovska-Davkova shprehu mirënjohjen e saj për KB-në, BE-në dhe agjencitë e zhvillimit nga disa vende, si dhe për institucionet financiare ndërkombëtare – BERZH-in, Bankën Botërore, BEI-në dhe Fondin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor – për mbështetjen e tyre thelbësore përmes projekteve në fushat e tranzicionit të gjelbër, shëndetësisë, arsimit dhe infrastrukturës”, thuhet në kumtesë.