Sindikata kundër vendimit të ministrit Azir Aliu: Nuk ka transparencë, dyshohet se ka partneritet publiko-privat në dëm të punonjësve

Sindikata kundër vendimit të ministrit Azir Aliu: Nuk ka transparencë,
dyshohet se ka partneritet publiko-privat në dëm të punonjësve
Sindikata e Pavarur e të Punësuarve në Klinikën Universitare dhe në
institucione të tjera publike shëndetësore është kundër vendimit të
Ministrisë së Shëndetësisë për zhvendosjen e 300 punonjësve
shëndetësorë, të cilët do të duhej të parkojnë në garazhet e hotelit
“Limak”
Sindikata dyshon se pas këtij marrëveshjeje të ministrisë për përdorimin
e parkingut të “Limak-ut” fshihet një formë e re e partneritetit
publiko-privat, ndërsa si problem shtesë në reagimin e saj ngre pyetjen
se si do të vazhdohet me pagesën e parkingut për të punësuarit, kur
“Limak” nuk ka leje nga Komuna e Qytetit të Shkupit për të kërkuar
pagesë për parkingun e tij.
“Marrja e një vendimi të tillë pa paralajmërim paraprak, pa konsultim me
Sindikatën e Klinikës Qendrore dhe pa takime me drejtorët e klinikave,
ngre dyshime serioze për transparencën dhe qëllimin e këtij procesi. Për
më tepër, nga informacionet e disponueshme mësojmë se ‘Limak’ nuk ka
leje nga Këshilli i Qytetit të Shkupit për të kërkuar pagesë për
përdorimin e parkingut nëntokësor, dhe ligjërisht nuk ka të drejtë të
kërkojë pagesë për të.” – thuhet në reagim. Kjo vë në pikëpyetje
legjitimitetin dhe bazën juridike të zgjidhjes së propozuar.
Si zgjidhje për problemin e madh të parkimit në Qendrën Klinike,
ministri i Shëndetësisë, z. Aliu, i cili së fundmi ka marrë këtë
funksion, njoftoi dje në një konferencë për media se planifikohet që, në
mënyrë vullnetare, 300 të punësuar të parkojnë automjetet e tyre jo në
Qendrën Klinike, por në garazhet nëntokësore të “Limak-ut”.
Sindikata e Pavarur në reagimin e saj thekson se shërbimet e përbashkëta
të Qendrës Klinike duhet të gjejnë një model për zgjidhjen e kaosit të
trafikut dhe parkimit në kompleksin “Nëna Terezë”, por këto shërbime
ende nuk i kanë marrë kompensimet për vitin 2023 dhe pagat po u vonohen.
Ministri Aliu njoftoi se do të zhvillojë një takim me shërbimet e
përbashkëta të Qendrës Klinike.