Pas dy postimeve të fundit të deputetit Halil Snopçe në lidhje me votimin e ligjit për regjistrim në vitin 2021, kanë pasuar shumë reagime nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë shprehur habi për informacionet e publikuara. Deputeti Snopçe thotë se është koha për të vendosur faktet në vend dhe për të ndalur shtrembërimin e realitetit.
“Në atë kohë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa – me të cilën ishim në koalicion – ishin të vetmet forca politike shqiptare që kundërshtuan hapur ligjin për regjistrim, i cili përfshinte edhe metodologjinë që më vonë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese”, thekson Snopçe.
Ai kujton se ishte ndër deputetët më të zëshëm në kundërshtimin e këtij ligji, si në Kuvend, ashtu edhe në emisione televizive përballë përfaqësuesve të Entit Shtetëror të Statistikave. “Kushdo mund t’i kthehet arkivave dhe ta verifikojë këtë. Madje, disa deklarata të mia kanë mbetur si më të shikuarat në mediat online për atë periudhë,” – shton ai.
Sipas Snopçes, edhe pse koalicioni ASH-Alternativa ishte kundër, nuk arriti të bindë partitë tjera shqiptare që të veprojnë njësoj. “Fakt është se Lëvizja Besa dhe BDI, përfshirë edhe deputetin Izet Mexhiti, në atë kohë koordinator i grupit parlamentar të BDI-së, e përkrahën ligjin,” thekson deputeti.
Ligji për regjistrim u votua në seancën e 29-të të mandatit të kaluar, me 62 vota për, dhe për të kaluar u desh edhe mbështetja e 29 deputetëve të etnive jomaqedonase, për shkak të shumicës së Badinterit. Por Snopçe thekson se pa votat e Lëvizjes Besa, ligji nuk do të kalonte, sepse nuk do të arrihej minimumi prej 61 votash.
“Kush sot del dhe kritikon ligjin për regjistrim, duhet së pari të kërkojë falje për përkrahjen që i ka dhënë në vitin 2021. Sa faj ka BDI, ka Lëvizja Besa dhe Izet Mexhiti,” përfundon Snopçe.