Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, shkoi të hënën në Bruksel për takime që lidhen me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Anouar El Anouni, ka thënë se nuk dëshiron të bëjë parashikime për rezultatin e takimeve në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.
Të martën pritet që të zhvillohet edhe takimi me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, pasi takimet janë organizuar në nivel të kryenegociatorëve.
“Do të përmbahesha nga parashikimet se në çfarë do të rezultojë kjo, por ajo çka mund të them është se takimi ishte thirrur në nivel të kryenegociatorëve, dhe se takimi me palën kosovare zhvillohet me pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi. Pala serbe pritet të mbërrijë nesër. Kjo është ajo çka mund të themi aktualisht dhe do t’ju lajmërojmë nëse kemi informacione të tjera”, ka deklaruar ai për Dukagjinin.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar këto takime, por nuk ka dhënë detaje të tjera.
Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia në Bruksel që nga emërimi i Peter Sorensen si i dërguar i posaçëm për dialog, në vend të Miroslav Lajçakut.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka paralajmëruar vazhdimin e dialogut gjatë vizitave të saj në Kosovë dhe Serbi.
BE-ja rikujton se marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksi i Ohrit për zbatim mbeten në fuqi dhe se të dyja palët duhet t’i zbatojnë ato.