Në diskutimin panel të sotëm “Po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve. Për kohën tënde që po vjen”, mbajtur me rastin e njëvjetorit të Qeverisë, zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, foli për problemet që i kishte hasur në momentin e marrjes së funksionit në MZB, por edhe për atë që është realizuar gjatë kësaj periudhe.
Fjalimin jua dërgojmë në tërësi:
– Kur e dëgjoni kryeministrin duke thënë se kemi gjetur një shtet me themele të shkatërruara, këtë më së miri mund ta ilustroj gjendja që e gjeta në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Për arsyen e thjeshtë se atje nuk ekzistonte as program pune, as dokumente për funksionimin e brendshëm. Thjesht, puna zhvillohej – të mos them – jashtë rregullave dhe dispozitave, jashtë ligjeve dhe Kushtetutës së shtetit tonë.
Ajo që arritëm të bëjmë fillimisht dhe pamë se ishte urgjente, ishte të miratojmë një Plan Strategjik Pune. Ky plan parashikon aktivitete të Ministrisë për stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike, nga njëra anë, dhe vendosjen e stabilitetit politik në shtet si kusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik. Kur e përfunduam këtë proces dhe vendosëm dokumentet e brendshme të punës si dhe programin, punët filluan të ecin në drejtimin e duhur. Ajo që duhet veçuar është se, që nga periudha e ministrit të mëparshëm deri te buxheti që menaxhoj unë sot, shpenzimet janë ulur me 60 %, që do të thotë se të gjitha shpenzimet joproduktive janë eliminuar dhe gjithçka që ishte rezultat i menaxhimit të papërgjegjshëm tani më nuk ekziston. Kjo shihet jo vetëm si pjesë e obligimeve të mia, por edhe si reformë e brendshme e Ministrisë.
Gjëja e tretë që dua të theksoj si shumë të rëndësishme është realizimi i plotë i programës “nuk ka më qëndrim në shtëpi dhe marrje page” të Këshillit për Reformën e Administratës Publike. Nga 296 të punësuar që i gjeta në Ministri për arsye të ndryshme, tashmë 112 prej tyre nuk janë më pjesë e saj – në mënyra të ndryshme, në bazë të ndryshme. Të mos keqkuptohem – këta 112 janë larguar në mënyrë tërësisht ligjore, pasi Ministria nuk ka marrë asnjë ankesë, padi apo shqetësim për vendimet e marra. Na mbeten edhe 79 raste të tilla, procesi është në vijim dhe shpresojmë që deri në fund të vitit do ta mbyllim edhe këtë kapitull, dhe Ministria do të funksionojë me rreth 80-90 të punësuar – një numër që e konsideroj racional për një ministri me këtë nivel përgjegjësie.
Kemi arritur të miratojmë edhe një program të ri për shënimin e ditëve të bashkësive kombëtare, dhe mendoj se ndryshimi tashmë ndjehet në mesin e bashkësive më të vogla etnike dhe është shumë serioz. Do të vazhdojmë me aktivitete në këtë drejtim. Kishim pengesa në fillim, por dalëngadalë, me kalimin e kohës, po i tejkalojmë ato dhe shpresojmë që këto aktivitete do të marrin hov në drejtimin e duhur.
Dhe gjëja e fundit që dua të përmend është konkursi për financimin e shoqatave dhe organizatave joqeveritare, pasi kishte reagime publike për mënyrën e shpërndarjes së fondeve. Kam dhënë një përgjigje më parë, por mendoj se publikut maqedonas duhet t’i thuhet sërish – është kohë reformash, kohë ndryshimesh të plota dhe ajo që ishte më parë nuk duhet të vazhdojë më. Thelbi i Ministrisë është transformuar, dhe përveç kujdesit ndaj bashkësive më të vogla etnike, duhet të merremi edhe me qëndrime themelore të shtetit si lufta kundër korrupsionit, e cila duhet të jetë pjesë e përcaktimeve programore.
Ajo që është më e rëndësishmja – shumëkush mendon se ministri merr vendime të brendshme për ndarjen e fondeve, gjë që nuk është më rast. Me qëllim, e kam përjashtuar veten nga procesi vendimmarrës dhe ia kam lënë këtë një komisioni prej shtatë anëtarësh – përfaqësues nga thuajse të gjitha ministritë.
Nga Ministria ime, përfaqësues ishte një anëtar nga bashkësia boshnjake, një nga bashkësia vllahe, dy shqiptarë dhe tre maqedonas. Kjo tregon transparencë dhe kujdes për mënyrën se si shpërndahen fondet, për të shmangur komentet që – si në të kaluarën – ministri i përdorte kompetencat për të ndryshuar vendimet siç i pëlqente. Më parë kemi pasur raste ku janë dhënë fonde për 33 organizata nga një bashkësi e vetme kombëtare, gjë që është tërësisht e papranueshme. Prandaj, ndryshimi është i madh dhe shumë i dukshëm.
Dhe në fund, ajo që dua të theksoj është se e kemi avancuar funksionimin e Ministrisë në një nivel të tillë, që kushdo që do të vijë pas meje në këtë funksion, do të hyjë në një “shtëpi të rregulluar mirë”, me themele të qëndrueshme, ku do të mund të punojë pa pengesa dhe të kryejë detyrat e veta.