Seanca e djeshme stërvitore e Kombëtares shqiptare ka sjellë një lajm shumë të mirë për kuqezinjtë. Pas mungesës në ditët e kaluara, në stërvitje me pjesën tjetër të ekipit është rishfaqur Rei Manaj.
Futbollisti ka kaluar një situatë gripale në ditët e kaluar dhe stafi mjekësor e kishte lënë pushim futbollistin, që të mos përkeqësohej gjendja e tij. Për më tepër, një natë më parë Manaj kishte shkuar edhe për vizitë më të specializuar në një qendër spitalore në kryeqytet. Por në seancën e djeshme të pasdites, Manaj është bashkuar rregullisht me skuadrën, duke zhvilluar ushtrimet, sinjal i qartë se do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për duelin e nesërm dhe kandidat për një vend mes titullarëve, pavarësisht se ka mbetur pak mbrapa me përgatitjet.
FORMACIONI- Dy dilema janë për Silvinjon në ndeshjen me Serbinë nesër në mbrëmje. T’i besojë nga fillimi Arbër Hoxhës në krah dhe Nedim Bajramit mbrapa sulmuesve në vendin e Laçit, apo ky i fundit të luajë nga minuta e parë dhe Nedimi të spostohet në krah. Ajo që ka provuar trajneri brazilian ditën e fundit, ishte varianti i parë, por deri nesër gjithçka mund të ndodhë.
Sa i përket sulmit, pritet që Broja të jetë nga fillimi dhe Asani në krahun tjetër. Më mbrapa, Asllani dhe Ramadani, me këtë të fundit që e ka fituar balotazhin me Shehun.