Tajlanda ka përforcuar praninë e saj ushtarake përgjatë një kufiri të diskutueshëm me Kamboxhian, pas një rritjeje të trupave në anën tjetër, tha të shtunën ministri i mbrojtjes i Tajlandës.

Tensionet midis dy vendeve të Azisë Juglindore kanë qenë në rritje që kur një ushtar kamboxhian u vra më 28 maj në një përleshje të shkurtër në një zonë kufitare të pashënuar, shkruajnë mediat e huaja.

Dhe për ditë të tëra, dy qeveritë e Azisë Juglindore kanë shkëmbyer deklarata të formuluara me kujdes duke u zotuar për dialog.

Por Phumtham Wechayachai, i cili shërben gjithashtu si zëvendëskryeministër i Tajlandës, tha se Kamboxhia kishte hedhur poshtë propozimet në bisedimet dypalëshe të mbajtura të enjten që mund të kishin çuar në një ulje të tensioneve.

“Për më tepër, ka pasur një përforcim të pranisë ushtarake, e cila ka përkeqësuar tensionet përgjatë kufirit”, citohet të ketë thënë Phumtham në një deklaratë.

“Si pasojë, Qeveria Mbretërore Tajlandeze e ka konsideruar të nevojshme të zbatojë masa shtesë dhe të përforcojë qëndrimin tonë ushtarak në përputhje me rrethanat”.

Ai nuk dha detaje mbi shkallën e përforcimeve nga asnjëra palë.

Në një deklaratë të veçantë të shtunën, ushtria tajlandeze theksoi se ushtarët dhe civilët kamboxhianë kishin bërë vazhdimisht inkursione në territorin e Tajlandës.

“Këto provokime dhe grumbullimi i forcave ushtarake tregojnë një qëllim të qartë për të përdorur forcën”, tha ushtria tajlandeze, duke shtuar se do të merrte kontrollin e të gjitha pikave të kontrollit tajlandez përgjatë kufirit me Kamboxhian.

Përforcimet ushtarake vijnë pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim, i cili është kryetari aktual i bllokut të ASEAN-it të Azisë Juglindore, dhe Kinës për të ulur tensionet.

Tailanda dhe Kamboxhia për më shumë se një shekull kanë kontestuar sovranitetin në pika të ndryshme të pashënuara përgjatë kufirit të tyre tokësor prej 817 km (508 milje), i cili u hartëzua për herë të parë nga Franca në vitin 1907 kur Kamboxhia ishte kolonia e saj.

Tensioni u përshkallëzua në vitin 2008 për shkak të një tempulli hindu të shekullit të 11-të, duke çuar në përleshje gjatë disa viteve dhe të paktën një duzinë vdekjesh, përfshirë gjatë një shkëmbimi njëjavor të artilerisë në vitin 2011.