Në njëvjetorin e Qeverisë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, i cili e braktisi atë para dy muajsh, shprehet se VLEN, nga një projekt i mrekullueshëm, u shndërrua në një dështim.
Treshja që aktualisht përbën ekzekutivin, Taravari e cilëson si një zhgënjim.
“Sot, në njëvjetorin e qeverisjes nga trojka VMRO–ZNAM–VLEN, nuk më mbetet tjetër veçse, me zhgënjim, të konstatoj se VLEN, nga një projekt i mrekullueshëm, u shndërrua shpejt në një përpjekje të dështuar…”, shkruan kryetari i ASH-së, Arben Taravari, në statusin e tij të fundit në rrjetet sociale.
Më tej në shkrimin e tij, Taravari thotë:
“Duke qenë pjesë e kësaj qeverie për 11 muaj, marr përgjegjësitë e mia dhe ju kërkoj ndjesë që nuk arritëm ta çonim ndryshimin përpara!”
Kreu i ASH-së thekson se ndryshimi nënkupton ndërrim të mentalitetit, jo vetëm të subjekteve politike.
“Ndryshim nuk do të thotë të ndryshojnë emrat e partive, por mentaliteti i tyre!”
Shkrimin e tij, kryetari i ASH-së e mbyll me një mesazh të fuqishëm:
“Gjithsesi, jemi ende në kohë, nëse jemi në vendin e duhur. Prandaj, ftoj çdo parti të bashkohet me forcën e popullit dhe me të drejtat e tij!”
Në fund, Taravari thekson:
“Ngadhnjejmë në tetor, i cili është afër – shumë, shumë afër!”