Të martën pritet të mbahet një takim i rëndësishëm, ndoshta edhe përmbyllës, mes tre liderëve politikë shqiptarë: Ali Ahmeti, Ziadin Sela dhe Arben Taravari. Takimet priten të zhvillohen ndaras, me qëllim koordinimin për zgjedhjet lokale.

Sipas informacioneve të portalit TS, bisedimet janë në një rrugë të mirë bashkëpunimi ndërmjet partive për zgjedhjet lokale.

Nga BDI kanë konfirmuar për TS se do të ketë takim, ku do të diskutohen çështjet politike në vend, me theks të veçantë  zgjedhjet lokale dhe ndarjet e komunave, në rast se arrihet dakordësi mes tre partive.

“Po, do të ketë takim, me shumë gjasë të martën. Presim një takim pozitiv për të gjitha aktualitetet politike dhe për zgjedhjet lokale, ku si BDI shpresojmë fuqishëm në një bashkëpunim për fitore bindëse në të gjitha komunat”, kanë thënë nga BDI, pa dhënë më shumë detaje rreth ndarjes së komunave.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Edhe nga krahu i ASH – Sela, është konfirmuar takimi mes Selës dhe Ahmetit të martën. Ata presin që ky takim të jetë i frytshëm dhe të sjellë dakordim për një bashkëpunim më të thelluar drejt fitoreve të ardhshme.
“Besojmë që të martën do të ketë takim në lidhje me zgjedhjet lokale dhe ndarjen e komunave”, thanë shkurt nga ASH – Sela, për portalin TS,  pa e zgjatur më shumë nëse do të marrin dy apo tre komuna dhe nëse Struga do të jetë pjesë e diskutimeve.

Nga ASH-Taravari për portalin TS thonë se nuk është caktuar deri tash një takim i tillë për të martën.

Ndërkohë, VLEN tashmë ka publikuar disa kandidatë për zgjedhjet lokale në Tetovë, Çair, Zhelinë dhe disa komuna të tjera. VLEN gjithashtu synon të paraqesë kandidatë apartiakë në Strugë, Gostivar dhe Kërçovë.

Ndryshe njohës të çështjeve politike parashikojnë se këto zgjedhjet lokale do të jenë zgjedhjet më të vështira dhe më të ashpra, për shkak të mbijetesës politike të BDI-së dhe VLEN-it.

Gara më e nxehtë pritet të zhvillohet në Tetovë dhe Çair, ku rezultati do të ndikojë drejtpërdrejt në mbijetesën politike të Ali Ahmetit, Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit./TS/