Të paktën 18 palestinezë janë vrarë pasi një sulm izraelit me dron ka shënjestruar njësinë policore të Hamasit, e cila po përpiqej të vendoste kontroll mbi tregun në qytetin Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës, kanë deklaruar për BBC një mjek dhe dëshmitarë okularë.
Sipas dëshmitarëve, dronët izraelitë kanë qëlluar mbi pjesëtarët e forcave policore të Hamasit, të veshur me rroba civile dhe të maskuar, të cilët po përballeshin me shitës që i akuzonin për ngritje të çmimeve dhe për shitje të mallrave të grabitura nga kamionët e ndihmave.
Ministria e Brendshme e kontrolluar nga Hamasi e dënoi sulmin, duke akuzuar Izraelin për kryerjen e një “krimi të ri kundër një njësie policore të ngarkuar për ruajtjen e rendit publik”.
Pamjet filmike nga pasojat e sulmit tregojnë trupa të shpërndarë në tokë dhe blerës të tmerruar që bërtasin, ndërsa ambulancat nxitojnë për t’u dhënë ndihmë të plagosurve.
Incidenti ndodhi në një kohë kur civilët në Gaza vazhdojnë të luftojnë për të siguruar ushqim, ndërsa pothuajse çdo ditë ndodhin të shtëna brenda dhe përreth pikave të shpërndarjes së Fondacionit Humanitar për Gazën (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, në pjesën jugore dhe qendrore të Gazës. Mallrat e pakta që janë të disponueshme në treg shiten me çmime shumë të fryra.