Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, Balla akuza Berishës: Ke bashkëpunuar me Millosheviqin kundër Kosovës

Ministri Taulant Balla u përfshi në një debat me kreun e PD, Sali Berisha këtë të enjte në seancën plenare.
“Që nga 1997, ti je një njeri ndaj të cilit rëndojnë të gjitha djallëzitë më të mëdha ndaj këtij vendi. Ke bashkëpunuar me Millosheviqin për ta furnizuar me naftë makinerinë e tij ushtarake kundra Kosovës”, tha Balla.
Ministri i Shtetit, Taulant Balla, në përgjigje të akuzave të opozitës për manipulim zgjedhor, në një replikë të drejtpërdrejtë në Kuvend, tha se nuk ka asnjë surprizë në qëndrimet e opozitës, të cilat sipas tij përsëriten prej vitesh, pa asnjë fakt konkret.
“Nuk kam asnjë surprizë. As unë, as kolegët e mi, as gazetarët atje lart, as publiku që ndjek këtë seancë. Sepse gjithçka që dëgjojmë është një përsëritje prej shumë vitesh. Para zgjedhjeve ua kemi thënë që do vini përsëri me të njëjtin refren: ‘U vodh vullneti i shqiptarëve, u manipulua’,” deklaroi Balla.
Ministri theksoi se ende po bëhen shpenzime nga buxheti i shtetit për rinumërime.
“Edhe pse po bëhet një muaj e gjysmë nga zgjedhjet, për shkak të dakordësisë që kemi pasur bashkë prej 2012-s, mund të ndodhë rinumërimi. Po harxhohen para nga buxheti i shtetit, deri tani 200 milionë lekë e kusur. Të shpresojmë si ogur i mirë që në shtator të përcaktojmë qartazi edhe adresimin e ndoshta një prej rekomandimeve më kryesore të raportit të OSBE/ODIHR-it – të depolitizojmë komisionerët.”
Duke komentuar qëndrimet e përsëritura të opozitës për “vjedhje votash”, Balla shtroi pyetjen:
“Si ka mundësi që ndodh gjithnjë e njëjta gjë? Edhe në 2017, edhe në 2021 doli Luli. Në 2025, tani po kuptojmë që Luli s’i paska pasur nga vetja…”
Ministri solli në vëmendje edhe përvojën e tij personale me dhunën politike në të shkuarën:
“Kam qenë në selinë e PS-së në Librazhd kur e rrahën kreun e PS-së. Kështu trajtohej opozita.”
Më tej, Balla akuzoi Sali Berishën për histori të errëta që nga vitet ’90, duke përmendur edhe marrëdhënien e tij me Millosheviqin:
“Që nga 1997, ti je një njeri ndaj të cilit rëndojnë të gjitha djallëzitë më të mëdha ndaj këtij vendi. Nga bashkëpunimi me Slobodan Millosheviçin për ta furnizuar me naftë makinerinë e tij ushtarake… Citoj Thaçin që tha: marrëveshje Berisha–Millosheviç, solli Arkanin në Shqipëri. Apo edhe akuzat për vrasjen e Ilir Konushevcit, ushtar i UÇK-së. Ka dëshmitarë, dy pilotë që thonë se ti u dhe urdhër për të bombarduar jugun.”
Ai kujtoi deklaratat fyese të Berishës ndaj figurave të ndryshme ndër vite:
“Mban mend ç’i ke thënë Ilir Metës këtu? Ngrije kokën, ngrije. Hoqe Dash Sulën, vure Ilir Metën. U turre kundër drejtësisë. Mban mend ç’i ke thënë Maks Haxhisë, Arben Rakipit, Sollakut, Olsi Çelës, Altin Dumanit?”
Më tej, ai iu drejtua opozitës me thirrjen për të depozituar kallëzime zyrtare nëse kanë prova:
“Keni disa ditë që bëni konferenca për shtyp. Merrini dhe çojini në prokurori. Si ka mundësi që kanë mbaruar zgjedhjet dhe ju s’bëni një kallëzim? Se e dini shumë mirë që s’ka asgjë që qëndron.”
Në fund, ai ironizoi deklaratat për votën e diasporës dhe akuza të pabaza:
“Qershia mbi tortë ishte vota e diasporës. ‘Vendosën GPS te fleta e votimit’ – tha njëri këtu (Noka).”
Duke përmbyllur replikën e tij, Balla tha:
“Ju për ne jeni fat i madh. Por për Shqipërinë, jeni fat i zi.”
Berisha i quajti shpifje akuzat e Ballës.
“Natyrisht një përfaqësuesi të shpifur dhe të neveritshëm të krimit në parlament nuk ia vlen t’i përgjigjesh, por detyrimi ndaj qytetarëve më detyron të rikujtoj këtu se personi që foli këtu është një person i akuzuar për trafiqe të të gjitha llojeve, filluar me trafiqet e prostitucionit e përfunduar tek droga.
Është një njeri i akuzuar me dokumente zyrtare në sallë gjyqi se ka porositur vrasje.
Është një person, i cili segmentet e drejtësisë, kriminale, kanë djegur me vendim regjistrimet që faktonin personin si një porositës së vrasjeve.
Është i faktuar, është njeriu që ka porositur bandën e Elbasanit për të burgosur një familje të tërë, kundërshtare të bandës së Elbasanit dhe merret më vonë në mbrojtje nga Nuredin Dumani.
Ky person rezulton se me datën 10.12.2020 ka rënë dakord, Targeti informon PIN-in aq e kaq, se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos, këtij krimineli që është këtu, asnjë tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord. Ky mesazh iu përcoll kriminelit këtu…”, tha ai.