Tensionet në Lindjen e Mesme, ushtria izraelite: Forcat Ajrore po godasin objektiva në Iran, mbi 150 sulme

Zëdhënësi kryesor i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), ka dhënë një deklaratë publike ku konfirmon se sulmet ajrore kundër objektivave iraniane vazhdojnë ende me një intensitet të paprecedentë.
“Edhe në këtë orë, pilotët tanë të Forcave Ajrore po kryejnë sulme të gjera në zona të ndryshme të Iranit,” tha Defrin në një konferencë të transmetuar drejtpërdrejt.
Sipas tij, fushata ajrore ka zgjatur pothuajse 40 orë pa ndërprerje, duke përfshirë më shumë se 150 objektiva, me fokus të veçantë në Teheran gjatë 24 orëve të fundit.
Ai shtoi se një ndër objektivat kryesore ka qenë një strukturë nëntokësore në Iranin perëndimor, që sipas informacioneve të inteligjencës izraelite, përdorej për ruajtjen dhe lëshimin e raketave balistike dhe raketave lundruese.
“Kjo strukturë u sulmua dhe drejtuesit e lartë që e kishin vizituar më parë, janë eliminuar gjithashtu,” tha Defrin.
Ai theksoi se raketat që ndodheshin në këtë vend kishin si objektiv qytetarë izraelitë dhe forca të vendeve perëndimore që operojnë në Lindjen e Mesme.