Rami Mislimi
As në kohët më të errëta të komunizmit, e as në diktaturat më të ashpra të Jugosllavisë, nuk kemi qenë kaq të frikësuar për të folur gjuhën e nënës. Shqiptarët nuk janë trembur as nga varjet, as nga burgosjet, as nga përsekutimet familjare apo dëbimet nga tokat e tyre drejt Turqisë e Shqipërisë. Ata i kanë bërë ballë një sistemi që varroste e digjte të gjallë këdo që mbronte gjuhën dhe flamurin kombëtar. Por sërish, gjuha dhe flamuri janë mbrojtur, pavarësisht pasojave.
Sot, në këtë kohë, na ndalohet të flasim. Sot na ndalojnë të shkruajmë, dhe nesër ndoshta do të na ndalojnë edhe të mendojmë SHQIP.
A ka turp më të madh se ky?
A ka dhimbje më të rëndë se kjo?
A ka inat më të thellë se ky që në një vend ku kemi lënë gjurmë historike, ku kemi bashkëthemeluar shtetin, ku kemi derdhur gjak dhe mund, sot të ndalohemi të flasim gjuhën tonë?
Nuk do të flas më as unë shqip, sepse nuk ka kush më mbron.
Nuk do të shkruaj më, sepse s’ka kush e lexon.
Nuk do të mendoj më shqip, sepse s’kam kujt t’i rrëfehem në shqip.
Por as drejtori Arsim Idrizi nuk ka faj, sepse fuqia vjen nga lideri. Si mund t’i mbrojë Afrim Gashi drejtorët e Alternativës dhe të VLEN-it, kur i kërkoi falje Kryeministrit Mickoski për fjalinë “Kosova është nëna ime”, duke thënë: “Nuk e kam mëmëdhe Kosovën, por ‘nasha tatkovina’ është Makedonia”?
Si mund të mbrojë Bilall Kasami, kur dikur lejoi Zaevin të hyjë në shtëpitë e shqiptarëve me “MOZEME”-n e tij për të bërë eksperimente politike mbi shqiptarët?
Sot, ti nuk mund të flasësh më shqip, sepse shqiptarët janë bërë ZERO.
Shqiptarët janë zero edhe pa gjuhën shqipe, sepse me VLEN nuk ke vend në asnjë institucion. Edhe kombëtarisht, edhe ekonomikisht, shqiptarët po shtypen.
Janë në gjendje më të rëndë se 50 vite më parë, pa të drejtë të flasin, të mendojnë apo të punojnë shqip.
Le të flasim maqedonisht!
Le të mendojmë maqedonisht!
Le të shkruajmë maqedonisht!
Por a mundemi të punojmë?
Jo, as për t’u punësuar nuk na keni lënë mundësi si shqiptarë, sepse na keni bërë ZERO në çdo institucion.
A e dini se vetëm një vit më parë, maqedonasit shkruheshin si shqiptarë për tu punësuar?
A e dini se dikur, as kryeministri, as presidenti, as ndonjë funksionar i lartë nuk guxonte të thoshte publikisht “mos fol shqip”?
A ju kujtohet kur një drejtor i fuqishëm maqedonas u largua nga detyra, vetëm sepse tentoi të largojë një shqiptar nga puna?
Nëse keni harruar, po ua rikujtoj rastin e “Stojkes” së LSDM-së, që humbi postin përballë një shqiptari në vitin 2021. Nuk po përmend emra, sepse do thoni se po bëj marketing, por mendoni vetë kush ishte ai që i ra tavolinës me grusht e kërkoi shkarkimin e STOJKËS?
Sot a mund të ndodh kjo? Pergjigjuni vet Ju!
Sot a kemi burra që na mbrojnë, apo kemi burra me bishtin ndër këmbë që na turpërojnë emrin SHQIPTAR?
Ama do ju them juve të VLEN-it se:
Shqiptarët nuk dorëzohen, edhe pse ju jeni dorëzuar para Mickoskit. Shqiptarët nuk e japin gjuhën, edhe pse ju e shitët. Shqiptarët nuk e falin, edhe pse ju keni falur gjakun.
Andaj:
Ne do të flasim SHQIP!
Do të shkruajmë SHQIP!
Do të mendojmë SHQIP!
Dhe do të punojmë si SHQIPTARË!