Tifozat Kuq e Zi kundër FSHF-së: Ndalimi i simboleve kombëtare në stadium është shkelje e identitetit tonë

Pas ndeshjes së fundit Shqipëri – Serbi, Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar me një deklaratë të ashpër, duke dënuar ndalimin e simboleve kombëtare në stadium dhe akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit për qëndrime të nënshtruara ndaj interesave serbe.
Në deklaratë, tifozët kritikuan kontrollet strikte dhe konfiskimin e bluzave dhe shallave me mbishkrime patriotike, si “O sa mirë me qenë Shqiptar!”, “Prishtina”, “Kosova” dhe flamurin e UÇK-së, të cilin e quajnë të paprekshëm dhe të drejtë për t’u shfaqur në çdo stadium ku luan Kombëtarja.
Ata paralajmërojnë se nuk do të ndalen kurrë së mbrojturi identitetin dhe simbolet e tyre kombëtare, duke sfiduar çdo përpjekje për t’i censuruar ato në stadiume, dhe akuzojnë FSHF-në për inferioritet ndaj Serbisë dhe për tradhti ndaj interesave kombëtare.
Tifozat gjithashtu shprehen se janë gati të përballen me çdo gjobë për të mbrojtur flamurin e UÇK-së dhe theksojnë se pasioni i tyre për Kombëtaren është i përjetshëm, ndryshe nga funksionarët e federatës që i shohin këto si thjesht punë.
Në fund, ata shprehen besimin se Shqipëria do të triumfojë edhe në ndeshjet e ardhshme dhe se miqësia me Serbinë nuk është e mundur, duke theksuar se “shkijet i kemi mundur dhe do t’i mundim gjithmonë”.