Ajo që po ndodh me procesin evropian është më shumë se sa ngecje, është një padrejtësi. Ideja evropiane nuk duhet të shndërrohet në shantazh bilateral, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në intervistën për Agjencinë e pavarur të lajmeve ballkanike (IBNA), duke theksuar angazhimin e Qeverisë ndaj reformave evropiane në rrugën drejt BE-së, por duke theksuar njëherësh se është koha që Evropa të përballet me pyetjen: vallë rajoni vërtet është pjesë e së ardhmes së saj dhe nëse është kështu, “atëherë dyert duhet të hapen me respekt dhe partneritet, jo me kërkesa dhe kushte të reja”.
Intervista e ministrit me IBNA-n është zhvilluar gjatë vizitës së tij në komunën e Prespës në Greqi, të enjten, kur filluan punimet për ndërtimin e vendkalimit kufitar Markova noga – Lemos në pjesën e territorit grek, ndërsa Toshkovski foli edhe për perspektivën e vendit në BE, bashkëpunimin me Greqinë, çështjen e emigrantëve, Marrëveshjen e Prespës, por edhe për zhvillimet në koalicionin qeveritar dhe theksoi se “qeveria është e qëndrueshme”.
Lidhur me pikën e re kufitare, Toshkovski ka thënë se është më shumë se sa një projekt infrastrukturor, “është simbol i pjekurisë, përgjegjësisë dhe perspektivës evropiane”, por edhe dëshmi se mund ta ndërtojmë të ardhmen bazuar në interesa të përbashkëta që bartin vendet tona me Evropën.
“Për rajonin e Prespës, kjo do të thotë energji e re, si ekonomike, turistike ashtu edhe kulturore. Komunitetet lokale në të dyja anët e kufirit marrin një shans të ri për zhvillim, ndërsa vendet po dëshmojnë pjekuri dhe vizion. Ky kalim jo vetëm që do të lidhë dy vendet, por do të lidhë njerëzit, historitë, natyrën dhe të ardhmen, duke përfaqësuar një shembull të vërtetë evropian të bashkëpunimit ndërkufitar”, thekson ministri.
Ai i është referuar gjithashtu portofolit të tij dhe bashkëpunimit me fqinjin jugor, duke theksuar se “krahas turbulencave politike në të kaluarën, bashkëpunimi policor midis dy vendeve është në nivel të lartë”.
“Në periudhën e ardhshme, planifikojmë të intensifikojmë dialogun me palën greke për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme që do të përshpejtojnë fluksin e udhëtarëve në vendkalimin kufitarë Bogorodicë – Evzoni, sepse është arteria kryesore e komunikimit, jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për turistët dhe operatorët e transportit nga i gjithë rajoni. Një tranzicion i shpejtë dhe efikas atje është çështje ekonomike, sigurie dhe integrimit evropian në praktikë”, tha ministri.
Lidhur me Marrëveshjen e Prespës, ai tha se qëndrimet e partisë janë “të njohura mirë dhe ato nuk ndryshojnë sot për nesër”, por shton se “kur bëhet fjalë për udhëheqjen e vendit, përgjegjësia është më e madhe se emocioni”.
“Si qeveri, jemi plotësisht të vetëdijshëm për obligimet ndërkombëtare që duhen respektuar, kryesisht për të mbrojtur vendin nga krizat dhe bllokadat e reja. Kjo do të thotë se pavarësisht pikëpamjeve tona personale ose politike, ne do të veprojmë si burrështetas me dinjitet dhe me qëllim të qartë për të siguruar stabilitet, prosperitet dhe të ardhme evropiane për qytetarët tanë”, deklaroi ministri.
Lidhur me zhvillimet e fundit në koalicionin qeveritar, ai tha se “Qeveria është stabile, me një shumicë të qartë parlamentare dhe legjitimitet të fortë të fituar nga qytetarët” dhe shton se koalicionet politike janë pjesë e dinamikës së çdo demokracie, ato vijnë e shkojnë, por kursi i shtetit duhet të mbetet i fortë dhe i qartë.