Pas një ngecjeje tetëvjeçare në përditësimin e pajisjeve zyrtare, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se deri në fund të vitit pjesa më e madhe e zyrtarëve policorë do të marrin uniforma të reja.

Lajmin e bëri të ditur ministri Pançe Toshkovski, i cili theksoi se institucioni më në fund e ka adresuar problemin shumëvjeçar me furnizimin e policisë me pajisje themelore të punës.

“Në opinion pati përpjekje për të zhvlerësuar procesin e furnizimit me uniforma, por e vërteta është ndryshe. Një nga dëshmitë është një fotografi ku shihen policë – njëri me xhinse, tjetri me tuta pune, i treti me pallto të babait të tij… Turp. Prandaj vendosëm t’i japim fund kësaj gjendjeje – deklaroi Toshkovski.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Ai shtoi se deri tani është realizuar një furnizim më i vogël me uniforma për rreth 1.000 policë, por tani vijon një proces shumë më i madh. Furnizimi i ri do të përfshijë nga 5 deri në 6.000 pjesëtarë të policisë, me çka, siç tha ai, pothuajse i gjithë personeli do të pajiset me veshje moderne dhe funksionale për punë.

“Ajo që policët po veshin aktualisht është katastrofë. Prej tetë vitesh nuk është blerë uniformë e re. Kjo nuk është vetëm pasqyrë e një lëshimi, por e një qëndrimi tërësisht injorues ndaj atyre që çdo ditë kujdesen për sigurinë e qytetarëve. Por, ne jemi këtu për ta ndryshuar këtë. Gjithçka që mund të bëjmë – do ta bëjmë – u shpreh ministri.

Në deklaratën e tij, Toshkovski nuk përjashtoi as kontekstin politik të reformave, duke vlerësuar se “populli maqedonas është i mençur, e sheh çfarë po ndodh dhe do ta japë fjalën e tij në zgjedhjet lokale”.