Lidhur me thirrjet e kryetares së komunës Danella Arsovska që institucionet të veprojnë për ndërtimet pa leje në Çair, si dhe për kërcënimet ndaj jetës që ajo merr, Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se policia dhe Prokuroria reagojnë ndaj çdo denoncimi, pa marrë parasysh ndaj kujt është drejtuar. Sa i përket punës së kryetarëve të komunave për atë se çfarë është e lejuar dhe çfarë nuk është e lejuar të ndërtohet me ligj, ai theksoi se është e rëndësishme që këtë ta bëjnë gjatë tërë mandatit, e jo vetëm para zgjedhjeve.

“Është mirë që secili në Maqedoni të bëjë punën për të cilën merr pagë. Ju gazetarët të parashtroni pyetje, ne politikanët të përgjigjemi, kamermanët të xhirojnë, komunat të kontrollojnë kompetencat e tyre për atë se çfarë është e lejuar me ligj të ndërtohet dhe çfarë nuk është. Është mirë që këtë ta bëjnë gjatë gjithë mandatit, që nga fillimi i vendosjes në një pozitë, në mënyrë të vazhdueshme për 4 vite sa zgjat mandati. Po ashtu është mirë që qytetarët, në fund të mandatit, të japin vlerësim për atë se si është kryer puna gjatë katër viteve të kaluara. Dhe është mirë që një herë e përgjithmonë në Maqedoni, secili që merr para nga buxheti, të bëjë punën për të cilën paguhet”, tha Pançe Toshkovski – Ministri i Punëve të Brendshme.