Një tragjedi ka ndodhur dje në Itali, rreth orës 16:00 në San Xhakomo di Pederoba, afër Trevisos, ku u mbyt një vajzë 9-vjeçare me origjinë nga Maqedonia, njofton “La Tribuna di Treviso”.

– Vajza, Adna Islam, me origjinë nga Maqedonia dhe banuese e Cavaso del Tomba, ishte me familjen e saj – prindërit Ihmet dhe Naila, si dhe me vëllain dhe motrën më të vegjël – duke pushuar pasdite buzë lumit Piave. Adna po luante mbi gurë me disa vajza të tjera, kur rrëshqiti dhe ra në lumë, duke u zhdukur menjëherë, e tërhequr nga rryma e fortë e ujit, shkruan gazeta.

Menjëherë arritën zjarrfikësit, karabinierët dhe zhytësit. Zhytësit e brigadës së zjarrfikësve gjetën trupin e vajzës së pafat rreth orës 18:30, të bllokuar mes gurëve.

Sipas gazetës, kryetari i komunës dhe zëvendësja e tij, të prekur thellë nga ngjarja, shprehën ngushëllime të thella dhe gatishmërinë për t’i ndihmuar familjes në çdo mënyrë.