Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar planet për një sulm ndaj Iranit, por po pret të shohë nëse Irani do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor përpara se të japë ndonjë urdhër për sulm, raportoi “Wall Street Journal”.

Trump, ditën e djeshme, i ka informuar ndihmësit e tij të lartë se i ka miratuar planet, thuhet në raportin e gazetës që citon “persona të njohur me bisedimet”.

Objekti i fortifikuar për pasurimin e uraniumit, Fordow, që ndodhet në Iran, është një nga objektivat e mundshme amerikane; ai është i groposur thellë nën një mal dhe, sipas ekspertëve ushtarakë, konsiderohet i paarritshëm përveçse me bombat më të fuqishme, thuhet në raportim.

I pyetur më herët nëse kishte marrë vendim për të sulmuar objektet bërthamore të Iranit, Trump u përgjigj: “Ndoshta do ta bëj, ndoshta jo”. Ai përsëriti qëndrimin e tij për një dorëzim të pakushtëzuar të Iranit.

Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, deklaroi më herët se vendi i tij nuk do të dorëzohet dhe paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake nga SHBA do të sillte pasoja të pariparueshme.

Izraeli dhe Irani kanë vazhduar shkëmbimet e zjarrit, dhe numri i viktimave në Iran është rritur mbi 450, sipas një organizate për të drejtat e njeriut. Në Izrael, 24 persona kanë humbur jetën si rezultat i sulmeve iraniane