Një deklaratë të bërë gjatë një konference për media në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmendi sërish Kosovën dhe Serbinë si shembull të konflikteve që, sipas tij, janë zgjidhur gjatë mandatit të tij.

Kjo është hera e tretë brenda pak ditës që Trump përmend çështjen e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

I pyetur rreth situatës në Ukrainë dhe rrezikut të ambicieve territoriale të presidentit rus Vladimir Putin përtej këtij vendi, Trump u shpreh se “është e mundur” që Rusia të ketë synime të tjera, por shtoi se disa nga konfliktet më të mëdha ndërkombëtare janë tashmë “nën kontroll” falë ndërhyrjes së tij.

“Në javët e fundit ne u kujdesëm për Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë, Kongo po vjen, Rwanda po vjen. Kjo ishte një luftë e madhe… kokë të prera në të gjithë Afrikën. Askush nuk ka bërë kurrë diçka të ngjashme,” u shpreh Trump me ton triumfalist.

Ai shtoi se situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndër ato që “është sjellë në një përfundim”, duke iu referuar rolit të administratës së tij në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi gjatë viteve të mëparshme.

“Njëjtë edhe me Kosovën e Serbinë, kanë luftuar për vite, dhe siç e dini, e sollëm edhe atë në një përfundim,” theksoi Trump.

Kosova u përmend edhe nga sekretari i NATO-s, Mark Rutte, i cili ka ka folur për rajonin e Ballkanit Perëndimor, konkretisht Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.

I pyetur nga një gazetar për mospërmendjen e Ballkanit Perëndimor në deklaratën e Samitit, Rutte ka thënë se NATO vazhdon të jetë e fokusuar në rajon përmes trupave të saj në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

Rutte ka thënë se KFOR-i vazhdon të jetë në Kosovë dhe EUFOR-i në Bosnje e Hercegovinë.

“E kam vizituar rajonin, kam pasur bisedime me liderët në Bosnje dhe Kosovën. Jemi shumë të involvuar si NATO, si BE gjithashtu është shumë e involvuar. Koordinohemi ngushtë me Kaja Kallas dhe Ursula Von Der Leyen”, ka thënë Rutte.

“Ne vazhdojmë të jemi aty, asgjë s’ka ndryshuar”, ka shtuar tutje Sekretari i NATO-s.

Edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka folur për situatën në veri të Kosovës dhe prezencën e KFOR-it turk në vend.

Erdogani tha se pjesëtarët e KFOR-it turk janë në rajonin e Ballkanit Perëndimor “për paqe dhe qetësi”, teksa shtoi se derisa KFOR-i turk ndodhet aty, shpreson të mos ketë ndonjë problem.

“Siç e dini, KFOR-i turk është në rajon. Pse është në rajon? Për paqe, për qetësi, dhe përderisa ne jemi atje, dhashtë Zoti të mos kemi probleme atje”, deklaroi Erdogani në konferencën me media pas samitit të NATO-s në Hagë, teksa u pyet për situatën në veri të vendit nga një gazetar i Kosovës.