Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën se Shtetet e Bashkuara e dinë saktësisht ku është duke u “fshehur” lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dhe që ai është shënjestër e lehtë, por që nuk do të vritet, të paktën tani.
“Ne e dimë saktësisht ku është duke u fshehur i ashtuquajturi ‘lideri suprem’. Ai është shënjestër e lehtë, por është i sigurt aty – nuk do ta vrasim, të paktën tani për tani”, ka thënë Trump përmes një postimi në Truth Social.
“Ne nuk duam raketa që godasin civilë apo ushtarët amerikanë. Durimi ynë po shteron”, ka thënë Trump.
Në një tjetër postim në këtë rrjet social, ai ka bërë thirrje për “dorëzim pa kushte”, si referencë për Iranin.
Deklarata e Trumpit ka ardhur teksa Izraeli ka vazhduar sulmet në qendrat bërthamore dhe ushtarake të Iranit, për të pestën ditë me radhë.
Presidenti amerikan ka thënë deri më tani disa herë se shteti i tij nuk është i përfshirë në konflikt, dhe që Irani ende mund të arrijë marrëveshje për t’i dhënë fund programit bërthamor, siç e ka propozuar para nisjes së sulmeve izraelite.
Megjithatë, së fundmi, ai ka dhënë sinjale se intervenimi i Uashingtonit mund të ndodhë.
Trump ka thënë të martën se “ne” kemi kontroll të plotë “mbi qiellin e Iranit”, dhe ka lavdëruar armët e prodhuara nga Shtetet e Bashkuara.
Izraeli, miku më i afërt i SHBA-së në Lindje të Mesme, ka bërë pretendim të ngjashëm në ditët e fundit.
Teksa është larguar nga samiti i shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7), të mbajtur në Kanada, Trump është shprehur i zemëruar ndaj Teheranit pse nuk ka arritur marrëveshje për programin bërthamor, i cili është duke u shënejestruar nga Izraeli, edhe pse Irani pretendon se e ka vetëm për qëllime civile.
“Nuk po kërkoj armëpushim, po kërkojmë diçka më të mirë sesa armëpushimi”, u ka thënë Trump gazetarëve duke u nisur nga Kanadaja për në Uashington, duke e lënë samitin ende pa përfunduar.
Presidenti amerikan ka thënë se qëllimi i tij është “një fund, një fund i vërtetë, jo armëpushim”.
Izraeli deklaron se sulmet kundër liderëve ushtarakë, shkencëtarëve bërthamorë iranianë, qendrave për pasurim të uraniumit dhe programit të raketave balistike, janë të domosdoshme për të parandaluar Iranin që të ketë armë bërthamore.
Sulmet kanë vrarë të paktën 224 njerëz në Iran.
Irani është hakmarrë duke nisur mbi 370 raketa dhe qindra donë në Izrael.
Deri më tani është raportuar për 24 persona të vrarë./REL