Trump thotë se SHBA do të takohet me Iranin javën e ardhshme, por ‘‘s‘ mendon’’ se një marrëveshje bërthamore është e nevojshme

Presidenti Donald Trump ka thënë SHBA-të do të zhvillojë një takim me Iranin javën e ardhshme në lidhje me një marrëveshje të mundshme bërthamore, ndonëse përsëriti disa herë se nuk beson se një marrëveshje e tillë “është edhe aq e nevojshme.”
“Do të flasim me ta javën e ardhshme, me Iranin. Mund të nënshkruajmë një marrëveshje, nuk e di. Për mua, nuk mendoj se është edhe aq e nevojshme. Dua të them, ata bënë një luftë, luftuan, tani po kthehen në botën e tyre. Nuk më intereson nëse kemi një marrëveshje apo jo,” tha Trump gjatë një konference për shtyp në përfundim të samitit të NATO-s në Hagë, raporton CNN.
Trump shtoi se administrata e tij do të kërkojë të njëjtat angazhime që ka kërkuar më parë gjatë negociatave me Iranin, para se të përshkallëzohej tensioni në Lindjen e Mesme.
“E vetmja gjë që do të kërkojmë është ajo që kemi kërkuar edhe më parë,” tha ai, duke përsëritur sërish se nuk e sheh të nevojshme një marrëveshje të tillë, duke insistuar se SHBA tashmë ka shkatërruar kapacitetet bërthamore të Iranit, ndonëse vlerësimet e hershme të inteligjencës sugjerojnë të kundërtën.
“Nuk duam armë bërthamore, por ne e kemi shkatërruar bërthamoren. Me fjalë të tjera, është shkatërruar. Kam thënë: ‘Irani nuk do të ketë armë bërthamore.’ Epo, ne e shpërthyem. Është shkatërruar plotësisht, ndaj nuk kam ndonjë ndjenjë të fortë për këtë. Nëse marrim një dokument, s’do ishte keq. Do të takohemi me ta,” tha presidenti.
Trump u tha gazetarëve se i kishte kërkuar Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili gjithashtu shërben si këshilltar për sigurinë kombëtare, ndërsa po ngjiteshin në skenë, nëse dëshironte të hartonin një marrëveshje. Trump tha se besonte që SHBA mund t’i bindte iranianët të nënshkruanin një dokument të tillë.
Rubio u tha gazetarëve se një marrëveshje e tillë do të varej nga gatishmëria e Iranit për të negociuar drejtpërdrejt me SHBA, dhe jo përmes ndërmjetësve.