Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” nga Manastiri (2 dhe 3 qershor
2025), organizuan Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Drejt një hapësire të sigurt
evropiane në një botë të globalizuar: ndërlidhja mes sigurisë dhe sundimit të ligjit”. Në fjalën e tij
përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, theksoi rolin që UT-ja ka
pasur ndër vite si një qendër e dijes, promovimit të bashkëjetesës ndëretnike dhe përkushtimit ndaj
vlerave të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë sociale.
“Përpjekjet tona për inkluzivitet dhe kohezion shoqëror nuk janë vetëm një vlerë, por një strategji
për forcimin e stabilitetit të brendshëm dhe për avancimin e aspiratave euroatlantike të Republikës
së Maqedonisë së Veriut.” – u shpreh ai.
Rektori i UT-së gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin me Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” si
dëshmi të përkushtimit për ndërtimin e një hapësire akademike ku ndërveprojnë dija, politika dhe
shoqëria në funksion të një të ardhmeje më të qëndrueshme.
Konferenca mblodhi akademikë, studiues, përfaqësues të institucioneve publike dhe diplomatë nga
vendi dhe rajoni, për të diskutuar mbi sfidat e sigurisë dhe rëndësinë e sundimit të ligjit në
ndërtimin e një Evrope më të qëndrueshme dhe të integruar, si Zoran Dimitrovski,
Zëvendësministër për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së
Veriut, Prof. Dr. Igor Nedelkovski, Rektor i Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir,
Petra Drexler, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut, Ben
Nupnau, Zëvendësshef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut.
Konferenca ofroi platformë për diskutime të thelluara mbi sfidat politike, sociale dhe teknologjike
që ndikojnë drejtpërdrejt në rajon, si dhe për ndarjen e praktikave më të mira për ndërtimin e një
Evrope më të sigurt, të drejtë dhe të bashkuar.