Të paktën 25 palestinezë, përfshirë ata që kërkonin ndihmë ushqimore, u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në sulmet e reja izraelite në të gjithë Gazën, njoftoi Agjencia palestineze e lajmeve Wafa, duke cituar burime mjekësore, transmeton Anadolu.

Tre palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën në sulmin izraelit në rrugën Al-Mansoura në lagjen Shejaiya, në lindje të qytetit të Gazës. Tetë persona të tjerë u vranë nga të shtënat izraelite në zonën Nitzarim në Gazën qendrore teksa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare.

Burimet mjekësore thanë se ekipet e shpëtimit nxorën trupat e tre palestinezëve dhe arritën të shpëtonin pesë të mbijetuar nga nën rrënojat e dy shtëpive në Jabalia Al-Nazla, Gazën veriore, pas një sulmi ajror izraelit. Disa persona mbeten të zhdukur nën rrënoja.

Dhjetë palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën në një sulm tjetër izraelit në dy shtëpi në kampin e refugjatëve Deir al-Balah dhe Nuseirat, në Gazën qendrore. Ekipet e shpëtimit nxorën trupin e një të riu nga Abasan në qyttein Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.

" "

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë mbi 56.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.