Ndërsa punonjësit shëndetësorë vazhduan sot protestën para Spitalit Klinik të Tetovës, drejtori i këtij institucioni, Agim Berisha, nuk pranoi të prononcohet për mediat.

Për situatën foli kryeinfermierja Dita Zaimi, e autorizuar nga drejtori për të dhënë deklaratë publike. Ajo u bëri thirrje punonjësve të formojnë një grup pune dhe të adresojnë kërkesat përmes një shkrese zyrtare drejtuar institucioneve përkatëse.

Zaimi mohoi pretendimet e protestuesve se nuk kanë marrë paga për tre muaj. “Nuk është e vërtetë që punonjësit nuk janë paguar për tre muaj,” u shpreh ajo.

“Nuk është e vërtetë që nuk janë marrë tre paga. Punonjësit nuk e kanë marrë vetëm pagën e muajit prill, pra që paguhet gjatë muajit maj. Dua ta sqaroj qartë – bëhet fjalë vetëm për një pagë të papaguar. Muaji maj sapo ka përfunduar dhe, si zakonisht, pagat i marrim deri më 15 të muajit. Punonjësit zakonisht i marrin një ose dy ditë para nesh, ose ndonjëherë pas nesh. Pra, paga e radhës pritet të vijë më 15”, deklaroi kryeinfermierja Dita Zaimi.