Veles: 23-vjeçari dhunon vajzën 8-vjeçare, kërcënon policinë me sëpatë dhe çekiç – prokuroria kérkon paraburgim

Prokuroria Themelore Publike në Veles ka ngritur procedurë hetimore dhe ka propozuar masë paraburgimi për një person të dyshuar për veprën penale – Dhunë ndaj fëmijës sipas nenit 201-a, si dhe për gjashtë vepra penale – Sulm ndaj personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrave të sigurisë, sipas nenit 383 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Ekzistojnë dyshime të bazuara se më 13 qershor, një 23-vjeçar nga Velesi ka ushtruar dhunë fizike ndaj një vajze të lindur në vitin 2016, duke e ofenduar fillimisht, e më pas duke e goditur në kokë me një objekt metalik. Pasi fëmija ra në tokë, ai filloi ta tërhiqte zvarrë nëpër rrugë. Kur prindërit e vajzës njoftuan policinë, gjashtë zyrtarë policorë arritën në vendngjarje, por i dyshuari i kërcënoi ata me një sëpatë dhe një çekiç që mbante në duar. Ai filloi të afrohej në drejtim të policëve me mjetet e rrezikshme dhe nuk ndaloi pavarësisht urdhrave për të ndaluar, pas së cilës policët qëlluan dy herë në ajër si paralajmërim. I dyshuari u largua dhe ishte në arrati për dy ditë.
Pas arrestimit dhe sjelljes në stacionin policor, i dyshuari vazhdoi të kërcënonte zyrtarët policorë, për çka prokurori vlerësoi se ekziston rreziku real që ai të përfundojë veprat penale nëse lirohet dhe gjithashtu ekziston rrezik arratisjeje. Për këtë arsye, prokuroria ka propozuar masë paraburgimi.