Një trafikant kokaine, L.P 25 vjeç, është dënuar me dy vite e nëntë muaj burg në Stafford, pasi u kap duke fshehur drogë brenda enëve të vazelinës.

Ai ishte pa adresë të përhershme, ndërsa u arrestua më 14 maj në Tamworth nga oficerët policorë, gjatë një kontrolli në makinën që po drejtonte.

Sipas policisë të Staffordshire, të cilës i referohet Top Channel, në lavazhin ku ai kishte ndaluar, policia gjeti tre enë të ndara me vazelinë të mbushura me kokainë, një telefon dhe 620 paund para të gatshme.

Ai u akuzua për posedim me qëllim furnizimin me drogë të Klasit A, posedim pasurie kriminale, drejtim makine pa leje të rregullt dhe përdorim të automjetit pa sigurim nga një palë e tretë. Gjykata e Kurorës Stafford e shpalli fajtor për këto akuza dhe urdhëroi konfiskimin e parave të gjetura.

Policia në Staffordshire vijon punën intensive për të goditur krimet e organizuara, duke arrestuar mbi 1,000 persona që nga maji 2023 për veprat penale të lidhura me drogën dhe armët.