Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga shtetet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se qëndrimi i deri në 50 personave në vend, të cilët më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës do të menaxhohet dhe koordinohet nga Ministra e Punëve të Brendshme.

Vendimi është miratuar dje në Qeverinë e Kosovës. Lajmi është transmetuar edhe në mediat ndërkombëtare, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Rrjeti amerikan CBS News ka raportuar se si vendi i vogël evropian ka vendosur të pranojë migrantët e deportuar nga SHBA.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Nuk është e qartë se kush saktësisht mund të dërgohet nga SHBA-të në Kosovë ose nga cilat vende do të jenë ata, thuhet në artikull.

Në një deklaratë për CBS News, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shprehur mirënjohje ndaj Kosovës pas vendimit për pranimin e shtetasve të huaj që janë dëbuar nga territori i SHBA-së, duke kujtuar se ky është një prioritet i lartë i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

“Jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës”, shtoi Departamenti i Shtetit.

Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, presidenti Trump ka nisur një fushatë kundër emigracionit të paligjshëm, çka ka nxitur edhe protesta në SHBA.