Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, deklaroi sot se Serbia ka ndalur plotësisht eksportin e municioneve dhe se ato tani do të përdoren vetëm për nevojat e ushtrisë serbe. Vendimi vjen në mes të tensioneve të fundit globale dhe polemikave për pozicionin e Serbisë në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
“Nuk eksportohet më asgjë. Tani gjithçka shkon në depot dhe repartet tona ushtarake. Ajo që kemi eksportuar pas 7 tetorit është çështje tjetër, por tani gjithçka është ndalur,” tha Vučić, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi marrëdhëniet me Izraelin dhe Iranin, si dhe mbi eksportet ushtarake prej më shumë se 40 milionë dollarësh gjatë vitit të kaluar.
Presidenti shtoi se çdo lëvizje e mundshme në të ardhmen do të kërkojë vendime të veçanta nga autoritetet më të larta shtetërore.
Vendimi erdhi pak ditë pasi Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme (SVR) i Federatës Ruse akuzoi Serbinë se, “pavarësisht deklaratave se është neutrale”, po vazhdon të dërgojë municione në Ukrainë.
Marrëdhënie me SHBA-në, paqe në Lindjen e Mesme
Pavarësisht kritikave ndaj SHBA-ve për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare në sulmet ndaj Iranit, Vučić u shpreh se Serbia dëshiron marrëdhënie sa më të ngushta dhe një partneritet strategjik me Uashingtonin.
“Ne jemi një vend i vogël dhe kërkojmë vetëm respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së,” theksoi ai, duke shtuar se Serbia është mike me të dyja vendet Izraelin dhe Iranin dhe dëshiron paqe në Lindjen e Mesme, shkruan Tanjug.