Xhabir Deralla, gazetar dhe aktivist i njohur, rrëfen në intervistën ekskluzive për portalin racin.mk presionet politike dhe padrejtësitë gjyqësore që ai dhe kolegët e tij përballen prej vitesh në Maqedoni.

“Vendimi i fundit i Gjykatës Themelore dhe Apelacionit, ku u dha favor kryetarit Hristijan Mickoskit, nuk është thjesht një incident, por pasqyrë e një sistemi të kapur nga ndikimet politike,” thekson Deralla për racin.mk.

Ai shpjegon se që nga koha e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski është në shumë procese gjyqësore, ku “presioni vjen drejtpërdrejt nga elita politike, përmes një lidhjeje të ngushtë mes pushtetit dhe gjyqësorit.”

Duke komentuar përdorimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ai thekson:

“Është cinike që Konventa përdoret për të dënuar gazetarët që guxojnë të kritikojnë, në vend që të mbrojë lirinë.”
Në lidhje me mungesën e reagimeve nga organizatat lokale të gazetarëve, Deralla vë në dukje:

“Ka frikë dhe lidhje të ngushta me strukturat politike dhe oligarkike në vend. Presioni dhe kërcënimet ndaj meje nuk janë vetëm personale, por paralajmërim për të gjithë ata që guxojnë të flasin kundër pushtetit.”

I mbështetur fuqimisht nga komuniteti ndërkombëtar i gazetarëve dhe organizatave të të drejtave të njeriut, ai shprehet:

“Mbështetja që marr më jep forcë të vazhdoj me angazhimin për liri dhe demokraci, për brezat që do vijnë.”
Duke folur për rëndësinë e lirisë, Deralla thotë:

“Liria nuk ka çmim, sepse pa të nuk ka jetë të dinjitetshme. Të drejtat dhe liria e shprehjes po përkeqësohen me hapa të shpejtë, me tendenca autoritare dhe cenim të sundimit të ligjit. Është koha që gazetarët dhe qytetarët të mbrojnë demokracinë para se të jetë vonë.”