Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski tha se mbështet nismën e liderit turk Rexhep Taip Erdogan, për takim me presidentin amerikan Donald Tramp dhe atë rus, Vladimir Putin, në Turqi, lajmëroi Ukrinform.

Ai në konferencën e djeshme për media në Kiev tha se pa një takim të tillë nuk do të ketë armëpushim.

“Mbështes takimin në nivel liderësh sepse kam përshtypje se nuk do të ketë armëpushim para takimit tonë”, tha Zelenski.

Shtëpia e Bardhë paraprakisht publikoi se Trampi është i hapur për ftesën e presidentit turk Erdogan për mbajtjen e bisedave paqësore trilaterale në Turqi me liderët rus dhe ukrainas.

Erdogani paraprakisht tha se Turqia do të ndërmarrë hapa për organizimin e takimit mes Putinit dhe Zelenskit në Ankara ose Stamboll, duke shtuar se do ta ftojë edhe presidentin amerikan në takim.

Pas raundit të dytë të negociatave në Stamboll, shefi i delegacionit ukrainas, ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, tha se Kievi beson se të gjitha çështjet kyçe në negociatat për armëpushim potencial me Rusinë mund të zgjidhen në nivel liderësh të vendeve dhe se propozon një takim i tillë të mbahet deri në fund të muajit.